I dërguari i OKB-së në Sana për bisedimet e armëpushimit në Jemen

Vizita e sotme vjen dy javë pas një udhëtimi të ngjashëm, gjatë të cilit ai u takua me disa udhëheqës të rebelëve Huthi për bisedime që synonin zgjidhjen e konfliktit 4-vjeçar në vendin arab

 I dërguari i Kombeve të Bashkuara (OKB) në Jemen, Martin Griffiths, mbërriti në Sana për bisedime që synojnë ndalimin e përshkallëzimeve ushtarake në qytetin bregdetar Al-Hudaydah, raporton Anadolu Agency (AA).

Një burim zyrtar në Aeroportin Ndërkombëtar të Sana-s, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se i dërguari i OKB-së mbërriti në qytetin e pushtuar nga rebelët Huthi nga kryeqyteti jordanez Aman.

Vizita e sotme vjen dy javë pas një udhëtimi të ngjashëm, gjatë të cilit ai u takua me disa udhëheqës të rebelëve Huthi për bisedime që synonin zgjidhjen e konfliktit 4-vjeçar në vendin arab.

Javën e kaluar, Griffiths zhvilloi bisedime në Aden me presidentin e Jemenit, Abd Rabbu Mansour Hadi dhe kryeministrin Ahmed Ben Dagher.

OKB-ja kohën e fundit ka rritur përpjekjet e saj diplomatike për të shmangur pasojat e një ofensive ushtarake të nisur na forcat qeveritare të Jemenit, mbështetur nga koalicioni i udhëhequr saudit, për të rrimarrë qytetin Al-Hudaydah nga rebelët Huthi.

Dje, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) thanë se koalicioni i udhëhequr saudit ka ndaluar përkohësisht fushatën ushtarake të qytetit Al-Hudaydah për të arritur një “tërheqje të pakushtëzuar” të rebelëve Huthi nga provinca.

Jemeni i varfër ka mbetur i rrënuar nga dhuna që nga viti 2014, kur rebëlët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015 kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj sunitë-arabë, të cilët akuzojnë rebelët shiit Huthi se i shërbejnë Iranit, nisën një fushatë masive ajrore në Jemen, që kishte për synim rikthimin e territorit të pushtuar nga rebelët Huthi.