Hulusi Akar: Trupat turke ruajnë praninë e tyre në Idlib të Sirisë

"Delegacionet e Turqisë dhe Rusisë vazhdojnë bisedimet për armëpushimin në Idlib, në jug të kufirit të Turqisë", tha ministri i Mbrojtjes së Turqisë

Forcat e Armatosura të Turqisë do të ruajnë praninë e tyre në provincën e Idlibit në Siri, përtej kufirit jugor të Turqisë, tha sot ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke kundërshtuar çdo pretendim se Turqia është tërhequr nga rajoni veriperëndimor i Sirisë, Akar para gazetarëve në kryeqytetin Ankara tha se “elementët tanë vazhdojnë të ruajnë praninë e tyre”.

Në bisedimet midis zyrtarëve ushtarakë turq dhe rusë për fillimin e patrullimeve të përbashkëta në Idlib, nën kushtet e armëpushimit të arritur javën e kaluar, Akar tha: “Delegacioni ushtarak rus arriti dhe bisedimet vazhdojnë. Ne arritëm një marrëveshje të madhe”.

“Forcat tona janë urdhëruar të veprojnë në përputhje me rrethanat nëse armëpushimi shkelet dhe sulmet vazhdojnë. Të gjithë janë në gatishmëri në çdo moment. Ne do të vazhdojmë të rifillojmë aty ku lam dhe t’i shkatërrojmë ata (forcat e regjimit të Asadit)”, shtoi Akar.

Pas një sulmit të forcave të regjimit të Asadit në Idlib muajin e kaluar, në të cilin ranë dëshmorë 34 ushtarë turq, Turqia u hakmor duke goditur objektivat e regjimit dhe nisi operacionin “Mburoja e Pranverës” në provincë për të parandaluar sulme të mëtejshme mbi civilët sirianë dhe trupat turke.

Trupat ishin në Idlib në bazë të një marrëveshjeje të mëparshme armëpushimi të vitit 2018 të arritur për provincën siriane.

Akar shtoi se 5 terroristë të lartë të lidhur me YPG/PKK-në ishin neutralizuar në veri të Irakut në operacione të mbështetur nga ajri dhe inteligjenca.

Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare terroriste kundër Turqisë, PKK e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega siriane e PKK-së.