Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi ka shtyrë në pasiguri të ardhmen e Princit të Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, konsideron gazetarja amerikane dhe shkrimtarja Karen Elliot House, trasnmeton Anadolu Agency (AA).
House, autorja e librit “Për Arabinë Saudite: Populli i saj, e kaluara, religjioni, pikat e krizës dhe e ardhmja”, ka shkruar një artikull në “Wall Street Journal”, në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi apo reflektimet e çështjes për të ardhmen e princit saudit, Mohammed bin Salman.
House, e cila në tekst, Princin Mohammed e krahason me perandorin romak Kaligula, ka thënë se edhe ai, si perandori Kaligula shumë i ri erdhi në pushtet dhe se “I pëlqen të bëjë projekte të mëdha, të organizojë ahengje të mëdha dhe më e rëndësishmja, të nënçmojë të gjithë rreth vetes”.
Gazetarja amerikane thotë se princi deri tani ka vënë nënshkrimin e tij në disa vendime të diskutueshme për të vërtetuar pozicionin e tij, që nga arrestimi i familjes mbretërore, presioni ndaj kryeministrit libanez Saad al-Hariri për të dhënë dorëheqje, deri në vendosjen e embargos ndaj Katarit.
Ajo beson se mosndëshkimi i atyre që janë përfshirë në vrasjen e gazetarit Khashoggi mund të dëmtojë marrëdhëniet midis Rijadit dhe Kongresit Amerikan si dhe se ky rast përbën një kërcënim për të ardhmen e Princit Muhammed.
Parashtrohet pyetja nëse Mbreti Selman bin Abdul Aziz, pas rastit të vrasjes së Khashoggit, do t’ia dorëzojë pushtetin e plotë djalit të tij, trashëgimtarit të fronit, apo nëse do të mund të kthejë përsëri në binarë marrëdhëniet me SHBA-të lidhur me aspektin e sigurisë së Gjirit dhe politikës globale të naftës.
House më tej thotë se mundësitë janë shumë të mëdha që Kongresi Amerikan, pas publikimit të rezultateve të hetimit nga Turqia, të bëjë një hap drejt Arabisë Saudite. Përveç kësaj, publikimi i rezultateve të hetimit nga Turqia për vrasjen e Khashoggit para gjithë botës mund të çojë në formimin e një blloku kundër familjes mbretërore saudite dhe princit Mohammed.
“Mbreti Salman qëndroi pranë djalit të tij në atë që pas vrasjes së Khashoggit ia besoi reformën e shërbimit të inteligjencës saudite, por kjo i ka hapur rrugën supozimeve se sundimi i princit të ri të Arabisë Saudite nuk do të zgjasë aq gjatë”, thuhet në artikull.
House supozon se princin Mohammed nga sundimi mund ta largojë babai i tij ose mund të “hiqet” me forcë, për shembull me atentant. Skenari i parë i jep shumë më tepër opsione mbretit Selman, por në rast se princi largohet me forcë kjo mund të shkaktojë kaos të madh në Rijad, thotë ndër të tjera gazetarja House.
Gazetari dhe kolumnisti i gazetës “The Washington Post” Jamal Khashoggi u zhduk më 2 tetor pas hyrjes në kompleksin e konsullatës të Arabisë Saudite në Stamboll.
Burimet turke të sigurisë kanë konfirmuar më parë se Khashoggi nuk është larguar nga ndërtesa e konsullatës dhe se gjatë asaj periudhe 15 shtetas dhe zyrtarë sauditë mbërritën me aeroplan special në konsullatë dhe më pas u larguan nga Turqia.
Pas pohimit disa ditorë se nuk dinë asgjë për fatin e Khashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite njoftuan të shtunën në mëngjes se Khashoggi u vra gjatë një grindje të pretenduar në konsullatë.
Hetimi për vrasjen ende janë në vijim, kurse detyra kryesore e hetuesve është gjetja e mbetjeve të Khashoggit dhe gjetja e përgjegjësve për vrasjen.