Holandë, transporti publik në grevë

Mijëra punonjës të transportit publik kanë hyrë në grevë njëditore në të gjithë vendin, pas thirrjes që bëri Konfederata e Sindikatave të Punëtorëve (FNV) në Holandë

Në Holandë janë shënuar ndërprerje në transportin publik për shkak të grevës që mijëra punonjës të transportit publik kanë zhvilluar me kërkesën për përmirësimin e ligjit të pensioneve, raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra punonjës të transportit publik kanë hyrë në grevë njëditore në të gjithë vendin, pas thirrjes që bëri Konfederata e Sindikatave të Punëtorëve (FNV) në Holandë.

Sistemi i transportit publik arriti në pikën e ndaljes në të gjithë vendin për shkak të grevës pasi në pika të ndryshme të vendit u formuan radhë të gjata me automjete prej 696 kilometra.

Disa shkolla kanë shtyrë provimet që do të zhvilloheshin sot ndërsa disa nxënës e kanë kaluar natën nëpër shkolla për të mos u vonuar në provime. Po ashtu edhe një pjesë e punonjësve që nuk kanë patur automjete kanë punuar nga shtëpia dhe një pjesë tjetër janë detyruar të marrin raporte.

Në aeroportin Schiphol të Amsterdamit për shkak të grevës u anuluan rreth 80 fluturime.

Në një deklaratë me shkrim nga FNV është njoftuar se vendimi për grevën është marrë pasi ende nuk është arritur një marrëveshje me qeverinë për përmirësimin e ligjit të pensioneve dhe për shkak se janë bllokuar bisedimet në fund të vitit të kaluar mes sindikatës dhe qeverisë.

Më tej thuhet se nesër do të zhvillojnë grevë njëditore edhe punonjësit në sektorë të ndryshëm.

Mijëra punonjës të transportit publik kanë hyrë në grevë edhe shumë herë të tjera më parë për të njëjtat arsye, me ç’rast është paralajmëruar se do të zhvillohen greva të reja nëse nuk përmbushen kërkesat.