Holandë, në kampet e refugjatëve kanë humbur rreth 1.600 fëmijë

Shumica e fëmjëve refugjatë të humbur janë me origjinë nga Maroku, Afganistani dhe Algjeria

Brenda 4.5 viteve në kampet e refugjatëve në Holandë kanë humbur rreth 1.600 fëmijë refugjatë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në artikullin e e gazetës holandeze NRC thuhet se në kuadër të një hulumtimi që gazeta ka kryer në lidhje me fëmijët refugjatë që humbin janë mbledhur të dhëna nga Agjencia Qendrore për Strehimin e Refugjatëve (COA) dhe Fondacioni Nidos që kryen detyrën kujdestare.

Në kuadër të këtyre të dhënave është zbuluar se në Holandë kanë humbur rreth 1.600 fëmijë refugjatë dhe se nuk dihet fati i tyre. Theksohet se janë marrë sinjale se fëmijët refugjatë kanë rënë në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore.

Po ashtu në artikull thuhet se një pjesë e fëmijëve mendohet që kanë shkuar pranë të afërmeve dhe shokëve që ndodhen në vende të ndryshme të Evropës.

Për shkak se të dhënat e Fondacionit Nidos nuk janë përfshirë në hulumtimet e mëparshme nënvizohet se kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe se ajo që mendohet. Shumica e fëmjëve refugjatë të humbur janë me origjinë nga Maroku, Afganistani dhe Algjeria.

Më tej thuhet se fëmijët refugjatë që vijnë nga këto vende kanë më pak gjasa të marrin leje qëndrimi në vend, por gjithashtu vihet në dukje se kanë humbur edhe fëmijë sirianë dhe nga Eritrea të cilët kanë gjasa më të mëdha për të marrë leje qëndrimi.