Holandë, gjykata hedh poshtë kërkesën e Ratelband për uljen e moshës

Gjykata në qytetin Arnhem të Holandës ka refuzuar kërkesën e një personi 69 vjeçar, i cili kërkoi që mosha t'i zvogëlohet ligjërisht për 20 vite

Gjykata në qytetin Arnhem të Holandës ka refuzuar kërkesën e një personi 69 vjeçar, i cili kërkoi që mosha t’i zvogëlohet ligjërisht për 20 vite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata refuzoi kërkesën e Emile Ratelband, “trajner për motivim” dhe personalitet i njohur televiziv në Holandë, i cili muajin e kaluar kërkoi që mosha e tij të ulet ligjërisht në 49, meqë sipas tij, ai nuk e ndjen veten në moshën 69 vjeçare.

Në një deklaratë me shkrim nga Gjykata thuhet se “Juridiksioni në Holandë të drejtat dhe përgjegjësitë si ‘e drejta për votë dhe detyrimi për të shkuar në shkollë’ i përcakton në bazë të moshës. Poqese kërkesa e Ratelband-it do të ishte pranuar, nuk do të kishte kuptim nevoja për moshën”.

Ratelband kërkesën e tij në fjalë e kishte ngjasuar me kërkesat për ndryshimin e gjinisë apo të emrit, të cilat në shumë vende të botës janë të pranueshme. Ai ka thënë se mosha e tij po i shkakton “probleme në jetën private dhe atë të punës”.