Heiko Maas: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, parakusht për integrimin evropian

Dimitrov ka falënderuar homologun e tij për përkrahjen gjermane për zbatimin e proceseve reformuese në vend por edhe mbi rëndësinë që ka në këtë kontekst, Procesi i Berlinit

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani, është pritur në një takim nga homologu i tij gjerman, Heiko Maas, me të cilin kanë shkëmbyer mendime mbi integrimet euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në takim, thuhet në njoftimin e kabinetit të Dimitrovit, ministri i Maqedonisë ka falënderuar homologun e tij për përkrahjen gjermane për zbatimin e proceseve reformuese në vend por edhe mbi rëndësinë që ka në këtë kontekst, Procesi i Berlinit.

“Përkundër sfidave, qëndrojnë të hapura mundësitë për një hap pozitiv dhe përparim të Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Dimitrov.

Maas, thuhet më tej, shprehu kënaqësinë për progresin e përgjithshëm në vend gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, duke vënë theksin te rëndësia që ka përfundimi i këtij procesi si një parakusht për integrimin evropian dhe euroatlantik të vendit.