Hashim Thaçi: Mendimet tona janë me familjet e viktimave në Izmir

"Kosova qëndron pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë në këtë kohë të vështirë", ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për tërmetin në Turqi, duke thënë se Kosova qëndron pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një reagim nëpërmjet rrjeteve sociale, presidenti kosovar është shprehur thellë i pikëlluar nga ngjarjet tragjike të tërmetit që epiqendër pati qytetin e Izmirit.

“Të pikëlluar thellë nga ngjarjet tragjike në Izmir, Turqi. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Kosova qëndron pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar Thaçi duke etiketuar në postim presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Fuqia e tërmetit me epiqendër Izmirin ka qenë 6.6 shkallë sipas Rihterit. Deri më tani për shkak të tërmetit kanë humbur jetën 4 persona ndërsa janë lënduar afër 120 të tjerë.