Hashim Thaçi: Kroacia është partnere e Kosovës në shërbim të paqes në rajon

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit 73. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç...

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit 73. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi, Presidenti Thaçi dhe homologia kroate kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale, rritjen e shkëmbimit tregtar dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike të Kosovës.

“Kosova është mirënjohëse ndaj Kroacisë për ndihmën e jashtëzakonshme në shtetndërtimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sigurimin e një të ardhmeje të sigurt në rrugën euroatlantike, veçmas në BE dhe NATO”, ka theksuar Thaçi.

“Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, por edhe si një ndër aktorët kryesorë rajonalë, është partnere e Kosovës në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon dhe kemi një partneritet tradicional”, ka shtuar presidenti kosovar.

Thaçi dhe Grabar-Kitaroviq kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pasi theksohet se Presidenti Thaçi ka zhvilluar shumë takime me krerë të shteteve të ndryshme të botës në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork , në komunikatë njoftohet se ai do të vazhdojë takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit bilateral, të shtimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. / AA