Haradinaj viziton kampin e KFOR-it ushtarak gjerman në Prizren

Haradinaj falënderoi Gjermaninë për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës si dhe për dhurimin e një infrastrukture të gatshme për t’u vënë në shërbim për projektin e ri që është Parku Inovativ dhe Trajnues Gjerman

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bashkë me ministra të kabinetit qeveritar sot vizitoi kampin ushtarak të KFOR-it gjerman në Prizren, tashmë Park Inovativ dhe Trajnues Kosovaro-Gjerman, raporton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj sot në shoqërim të zëvendës kryeministrit Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike Dardan Gashi, ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar, i Arsimit Shyqiri Bytyqi, i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, i Tregtisë Endrit Shala dhe të Financave Bedri Hamza vizitoi pjesë të ndryshme të Kampit Ushtarak Gjerman në Prizren, si memoriali i ndërtuar për ushtarët që kanë shërbyer në Kosovë, pjesët e banimit, ish-spitalin ushtarak, kuzhinën si dhe hapësirat tjera.

Në një fjalë rasti pas vizitës, kryeministri i Kosovës, Haradinaj falënderoi Gjermaninë për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës si dhe për dhurimin e një infrastrukture të gatshme për t’u vënë në shërbim për projektin e ri që është Parku Inovativ dhe Trajnues Gjerman, i cili do të shërbejë për zhvillimin ekonomik, aftësimin e të rinjve për punë dhe vende të punës.

“Në janar ne do të jemi funksional këtu, jam i bindur se vitin tjetër që vjen në këtë kohë në këtë kamp do të ketë plotë aktivitete trajnuese inovative pune”, tha ai.

Komandanti i kontingjentit gjerman të KFOR-it, nënkolonel Eric Offerman tha se prezenca 19 vjeçare e Bundesverit në Prizren është duke marrë fund. “Në këtë kamp ushtarak të krijuar gjatë 19 viteve Gjermania ka investuar më se 40 milionë euro. Në muajin e ardhshëm do të jemi gati që këta 40 hektarë t’i dorëzojmë Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Offerman po ashtu njoftoi për vendimin e ministrit të Mbrojtjes të Gjermanisë që shumë mobilje, aparate të kuzhinës si dhe vegla pune dhe pajisje teknike, pra një investim prej rreth 2 milionë eurosh do t’i lihen falas Kampit të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt tha se tani iu është afruar shumë realizimit të këtij projekti, i cili sipas tij do të tejkalojë shtrirjen e gjerë në Kosovë dhe rajon.

“Na ndajnë vetëm disa javë deri në përfundim të vitit dhe deri në dorëzimin e tërësishëm të kampit prej strukturave ushtarake në atë civile dhe çdo javë shohim investitorë potencialë të mundshëm të cilët vijnë dhe vizitojnë kampin për investime të mundshme në të ardhmen”, tha ai.

Kujtojmë se me rastin e tërheqjes së ushtarëve gjermanë nga kampi ushtarak i KFOR-it në Prizren, të cilët kanë shërbyer që nga viti 1999 në hapësirën e kampit fushor në Prizren deri në fund të këtij viti pritet që të ngritet Parku gjermano-kosovar Inovativ dhe Trajnues (ITP), i cili do të mbështetet me mjete të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë Federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.