Hapet baza e Kuçovës, Peleshi: Erdhi koha që të ndihet jehona e avionëve të NATO-s

Është hapur zyrtarisht baza e NATO-s në Kuçovë.

Inaugurimi i kësaj baze është bërë përmes një ceremonie zyrtare, pjesë e të cilës janë personalitete të shumta të vendit dhe jo vetëm.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, është shprehur se hapja e kësaj baze tregon se ka ardhur koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s.

“Do të shërbejë si bazë taktike e operacionale. Një grup ekspertësh e teknikësh kanë punuar ditë e natë për ngritjen e kësaj baze. MIG-u i fundit ka fluturuar rreth 19 vjet më parë. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të kërcënuar të rajonit dhe Europës. Vëmendja dhe investimi nuk do të reshtin deri në ndërtimin e një flote dinjitoze. Miq dhe aleatë, konsiderojëni këtë bazë si një pikë strategjike të rëndësishme për misionet tuaja të paqes. Kjo bazë ka kapacitetet e duhura për të përballur edhe fatkeqësitë natyrore. Ndihma që Shqipëria mund të japë për vendet fqinje, na bën të ndihemi më të përkushtuar më shumë se kurrë më parë. Shqipëria do të vijojë përpjekjet për vendosjen në shërbim të NATO-s edhe portin e Porto-Romanos”, tha Peleshi.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi mëngjesin e sotëm se do të jenë dronët “Bayraktar” të blerë nga Turqia të cilët do të fluturojnë gjatë ditës së sotme, në ceremoninë e përurimit të kësaj baze.

Kjo është e para bazë taktike e NATO-s në Shqipëri dhe është e një rëndësie të veçantë, pasi i shërben sigurisë në vend dhe rajon.

Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Në kohën kur nisi ndërtimi i kësaj baze, ministri Niko Peleshi pati deklaruar se ky ishte një mesazh i qartë “për aktorët e tjerë me qëllime të këqija” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeo-strategjik të vendit, si dhe të vet aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.

Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano.