Ish-presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, deklaroi mbrëmjen e së mërkurës se Turqia luan rolin e një ure lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Hamid Karzai mbajti një fjalim në sesionin me temë “Prishja e rendit të themeluar: Ngritja e Jugut Global”, në kuadër të Forumit të TRT World që organizohet në Stamboll nga Korporata e Radios dhe Televizionit të Turqisë (TRT) me moton “Të përfytyrosh paqen dhe sigurinë në një botë të fragmentuar”.
Ai theksoi se Turqia kontribuon në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit.
Sipas tij, tashmë boshti/fuqia është duke shkarë nga Perëndimi në Lindje dhe bota po kalon nga një periudhë ku të gjithë po e dëshmojnë këtë lëvizje.
Karzai vuri në pah se vendet që më parë konsideroheshin si bota e tretë, sot janë transformuar në përfaqësues të kësaj shkarjeje të fuqisë dhe tendencat për të ardhmen i përcaktojnë sërish këto vende.
Ish-presidenti afgan tha gjithashtu se rendi botëror në ndryshim ka nevojë për protagonistë të rinj.
“Rusia, Kina, India, Turqia, Brazili dhe Afrika e Jugut dalin në pah si liderë natyrorë në rendin e ri botëror në zhvillim. Bashkëpunimi ndërmjet këtyre shteteve do të jetë një domosdoshmëri”, vlerësoi ai.
“Ekonomia, struktura dhe politika e pushtetit në botë kanë marrë një zhvillim të atillë që tashmë Kombet e Bashkuara nuk po e kthejnë fytyrën më nga Perëndimi”, shtoi Karzai.
Ish-lideri afgan potencoi se Kina, India dhe Rusia kanë projekte të përmasave madhore.
“Ide të mëdha ka gjithashtu Evropa, e cila ka ndikim të fuqishëm edhe mbi pjesën tjetër të botës. Por s’duhen harruar as vendet e BRICS-it: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut; madje këtyre u shtohet pa dyshim edhe Turqia, e cila luan rolin e urës këtu dhe lidh Perëndimin me Lindjen. Nga Turqia janë kthyer edhe sytë e botës islame. Të gjitha këto vende tani duhet të kenë parasysh që të ndërtojnë një mekanizëm sigurie krejtësisht të ri”, përfundoi Hamid Karzai.