Hami Aksoy: Turqia mund ta krijojë zonën e sigurisë në Siri pa marrëveshje me SHBA-të

Çështja e zonës së sigurisë do të diskutohet me delegacionin ushtarak amerikan i cili të hënën viziton Turqinë

Nëse përpjekjet për të gjetur gjuhë të përbashkët me SHBA-të janë të pasuksesshme, Turqia do të duhet të krijojë vetë zonë të sigurisë në Siri, tha Hami Aksoy, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, raporton Anadolu Agency (AA).

Bisedimet rreth kësaj çëshjeje do të vazhdojnë të hënën me delegacionin ushtarak amerikan, njoftoi Aksoy në konferencën për media.

Ai tha se lidhur me këtë çështje, Turqia pret që të krijohet një zonë e sigurisë prej 32 kilometrave në veri të Sirisë, duke ia dhënë Turqisë kontrollin ndaj rajonit i cili patjetër të pastrohet nga grupet terroriste të PYD/YPG, degës siriane të PKK-së.

Aksoy shtoi se të gjitha aspektet e zonës së sigurisë dhe të konfliktit sirian janë diskutuar gjatë vizitës së fundit në Turqi të James Jeffrey, të dërguarit amerikan për koalicionin anti DEASH.

Mirëpo, Aksoy paralajmëroi se durimi i Turqisë është i kufizuar.

“Ne nuk do të lejojmë që ky proces të zvarritet. Nëse pritjet tona nuk përmbushen, ne jemi plotësisht të aftë të ndërmarrim çfarëdo masa (të nevojshme) për të garantuar sigurinë tonë kombëtare”, tha Aksoy.

Ai theksoi se Turqia dëshiron të pastrojë zonën nga të gjitha elementet terroriste dhe të krijojë një “korridor të paqes”.

Në korrik, Jeffrey u takua me ministrin turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, ku u dakorduan për të krijuar një zonë të sigurisë në veri të Sirisë.

Mirëpo, të enjten Jeffrey u tha gazetarëve në Washington se dallimet me Turqinë lidhur me atë se si do të funksionojë zona, si dhe madhësia e saj, po prolongojnë zbatimin e saj.

Pastrimi i grupeve terroriste nga zona e sigurisë

Në vitet e fundit, Turqia dhe Washingtoni janë përplasur rreth grupeve terroriste PYD/YPG, që është dega e organizatës terroriste PKK.

SHBA-të kanë mbështetur këto grupe në luftën kundër DEASH-it, përderisa Turqia thotë se nuk ka kuptim përdorimi i një grupi terrorist për të luftuar një grup tjetër terrorist.

Turqia insiston se këto grupe patjetër të pastrohen nga zona e sigurisë në Siri.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë.

Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.

Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur.