Hami Aksoy: SHBA duhet ta kuptojë se nuk do të arrijë rezultate me imponime

"Presim nga SHBA-ja që të hedhë hapa konkretë në çështjet themelore që janë në interes të sigurisë së vendit tonë, kryesisht ndaj PYD-së, YPG-së dhe FETO-s", tha Aksoy

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy ka deklaruar se “SHBA duhet ta kuptojë se nuk do të arrijë rezultate me imponime”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Ministrinë e Jashtme, Aksoy ka bërë të ditur se vazhdojnë kontaktet mes Turqisë dhe SHBA-ve për të zgjidhur problemet mes tyre.

“Presim nga SHBA-ja që të hedhë hapa konkretë në çështjet themelore që janë në interes të sigurisë së vendit tonë, kryesisht ndaj PYD-së, YPG-së dhe FETO-s”, tha Aksoy.

Pasi ka rikujtuar se zv.presidenti i SHBA-ve Mike Pence ka dhënë disa deklarata me objektiv Turqinë në takimin e NATO-s të mbajtur në SHBA, zëdhënësi Aksoy tha: “Shohim që SHBA po zbaton gjuhën e kërcënimit. Por, ne e kemi vërejtur edhe më parë që kjo nuk ka funksionuar. Është e pamundur të pranojmë këtë retorikë kundrejt vendit tonë. SHBA duhet ta kuptojë se nuk do të arrijë rezultate me imponime”.

Aksoy tha se solidariteti dhe rëndësia e unitetit kanë qenë në qendër të vëmendjes në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Washington me rastin e 70 vjetorit të krijimit të NATO-s dhe se janë diskutuar marrëdhëniet NATO-Rusi, kontributin e Aleancës në luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë euroatlantike.

“Francezët duke armatosur armenët kanë përgjegjësi në masakrimin e turqve”

Në pyetjen rreth deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Armenisë në lidhje me thirrjet e bëra për hapjen e arkivave të Turqisë, Aksoy tha se “Mënyra dhe fjalët që zëdhënësi i Armenisë ka përdorur tregojnë se Armenia nuk ka ende një traditë shtetërore”.

“Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në vendimin e saj ka theksuar se imponimi i tezave armene ndaj turqve është e papajtueshme me lirinë e shprehjes”, thekson Aksoy, i cili ka rikujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese Franceze e cila ka thënë se “duhet të mbrohet e drejta e turqve për të shprehur pikëpamjet e tyre”.

Duke vënë theksin se shumë historianë të respektuar kanë bërë botime akademike duke vënë në dyshim tezat armene, Aksoy potencon se “Të akuzosh turqit si mohues teksa situata është e tillë, ky është një mentalitet i vjetëruar, një përpjekje për të penguar shprehjen tonë të lirisë, madje mund të vlerësohet edhe si krim”.

Pasi ka nënvizuar se arkivat armene janë të hapura vetëm për armenët dhe pretendimet armene, Aksoy thotë se “Do të zbulohen të vërtetat sikur armenët të tregojnë në të vërtetë guximin për të hapur këto arkiva. Fatkeqësisht vazhdojnë të mashtrojnë gjithë botën dhe gjeneratat e reja”.

Aksoy ka përmendur edhe mbështetjen e Francës në lidhje me pretendimet armene. “Qeveria franceze nuk është në dijeni të rrezikut të hapit që ka hedhur. Duke armatosur armenët Franca ka përgjegjësi në masakrimin e turqve një shekull më parë. Ndërsa tani janë në kërkim për të krijuar një axhendë mbi armenët. Nuk do ta harrojmë që (presidenti francez Emmanuel) Macron shpalli 24 prillin si një ditë përkujtimore”.

Ai ka dënuar edhe shprehjet e rënda që ka përdorur rreth Turqisë, kryeministri i Francës Edouard Phillipe në fjalën e tij për armenët radikalë. “Dëshiroj të theksoj se nuk do të mebetet pa përgjigje të ndësjellë ky qëndrim që është i papërshtatshëm për drejtuesin e një vendi aleat”, tha Aksoy.