Gül: Terroristi nga Zelanda e Re nuk erdhi vetëm si turist në Turqi

Terroristi i cili në sulmin në dy xhamitë në Zelandë të Re vrau 50 persona ka vizituar Turqinë në dy raste gjatë vitit 2016.

Ministri i Drejtësisë i Republikës së Turqisë, Abdulhamit Gül deklaroi se është e qartë se terroristi nga Zelanda e Re nuk ka ardhur vetëm si turist në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është e qartë se vizita e autorit të sulmeve në Zelandën e Re në Turqi ishte më shumë se turistike”, tha Gül, i cili mëngjesin e sotëm ishte mysafir i panelit editorial të AA në Ankara.

Të paktën 50 persona u vranë në sulmin terrorist që ndodhi më 15 mars gjatë namazit të xhumasë në dy xhami në Christchurch.

Sulmi u krye nga 28-vjeçari australian Brenton Tarrant, i cili vizitoi Turqinë në dy raste në vitin 2016.

Shërbimet turke po hetojnë motivet e mundshme të vizitave të Tarrant dhe nuk përjashtojnë mundësinë e qëllimeve terroriste.

Një ditë pas sulmit në shenjë solidariteti me viktimat një delegacion i lartë i Turqisë vizitoi Zelandën e Re të kryesuar nga Zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay dhe ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan mbrëmë deklaroi se është e qartë se sulmi terrorist në dy xhamitë në Zelandën e Re nuk ishte akt i një individi, por një akt i organizuar terrorist.