Grupi C është shterpë, kualifikohen Danimarka dhe Franca, Peruja e mbyll me nder

Asnjë surprizë, Franca kokë grupi, kualifikohet Danimarka, Peruja e mbyll me nder

Asnjë surprizë në ndeshjet e fundit të grupit C. U përmbushën të gjitha pritshmëritë me Francën që e mbylli si kokë grupi ndërsa danezët avancuan më tej si skuadra e dytë e grupit dhe në ruandin e 1/8-ave të Botërorit Rusi 2018 do të sfidojnë Kroacinë. Të dyja përfaqësueset kishin nevojë për një pikë, Franca për të blinduar vendin e parë dhe skandinavët për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin dhe sfida e zhvilluar në Luzhniki Stadium të Moskës përfundoi në barazim pa gola. Pak emocione dhe pak raste në një sfidë ku fatet e së cilës ishin shkruar që më herët. Francezët ishin disi më kërkues me trajnerin Deschamps që kishte bërë edhe disa ndryshime në formacionin e gjelave duke u dhënë mundësi për t’u aktivizuar disa prej lojtarëve të stolit. Danimarka në fakt edhe në rast humbjeje ndaj 1-herë kampionëve të botës do të kualifikohej më tej pasi Australia u mposht nga Peruja në ndeshjen tjetër të grupit C. Përsa i përket Francës, gjelat presin të mësojnë se cili do të jetë kundërshtari i tyre në 1/8-at mes Argjentinës, Nigerisë dhe Islandës.

Peruja e mbylli në mënyrën më të mirë aventurën e saj në këtë Kupë Bote, teksa pas 2 humbjeve minimale në 2 ndeshjet e para ndaj Danimarkës dhe Francës ku nuk kishte dhe fatin me vete, mposhti lehtësisht 2-0 Australinë duke e mbyllur grupin me 3 pikë dhe duke zbritur në vendin e fundit përfaqësuesen e kangurëve. Ajo e zhvilluar në Sochi ishte ndeshja e Paolo Guerreros kapitenit 34-vjeçar të Perusë i cili dha asistin në golin e parë të Carillos ndërsa shënoi vetë në minutën e 50-të duke vulosur fitoren e amerikano-jugorëve, në sfidën e tij të fundit ndoshta në karrierë, sepse nëse lihet në fuqi skualifikimi 14 mujor për përdorim dopingu, vështirë se ish sulmuesi i Bayern Munich do t’i rikthehet futbollit të luajtur pasi kur pezullimi të përfundojë do të jetë rreth 36 vjeç.