Grabitje me armë të një banke në Kosovë

Policia e Kosovës njoftoi se grabitja e armatosur e bankës në Çagllavicë ka ndodhur sot rreth orës 15 dhe dyshohet se veprën e kanë kryer katër persona të cilët po kërkohen

Disa sulmues të armatosur kanë grabitur sot filialën e TEB bankës në Çagllavicë, në rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia e Kosovës njoftoi se grabitja e armatosur e bankës në Çagllavicë ka ndodhur sot rreth orës 15 dhe dyshohet se veprën e kanë kryer katër persona të cilët po kërkohen.

Policia thekson se menjëherë pas marrjes së informacioneve nga strukturat rajonale për hetim kriminel me një intensitet shtesë kanë ndërmarrë një varg aktivitete operative.

“Duke u bazuar në rezultatet e para të grupit hetues që kryen hetim në këtë rast, dyshohet se vjedhja është kryer nga katër persona të armatosur”, theksohet në njoftimin e policisë.

Po ashtu thuhet se të dyshuarit për grabitjen u arratisën nga vendi i ngjarjes nga një automjet i identifikuar nga policia.

“Policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendqëndrimin e tyre”, theksohet në njoftimin.

Sipas mediave në Kosovë, grabitja ndodhi në kohën kur sigurimi barte një thes me para nga furgoni në bankë.