Grabitja në Rinas, Ministrja Xhaçka dislokon ushtrinë për garantimin e sigurisë

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka dalë në një deklaratë për mediet në lidhje me ngjarjen e një dite më parë në Aeroportin e Rinasit, ku u grabitën një shumë e konsiderueshme parash.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka dalë në një deklaratë për mediet në lidhje me ngjarjen e një dite më parë në Aeroportin e Rinasit, ku u grabitën një shumë e konsiderueshme parash.

“Një ngjarje shumë e rëndë ajo që ndodhi dje, e sigurisht u bashkohem qytetarëve e kolegëve se një ngjarje e tillë nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë”, tha ministrja e Mbrojtjes.

Nga hetimet paraprake dihet deri më tani se mekanizmat e sigurisë, nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht.

“Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë të përcaktuara nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil. Për këtë shkelje legjislacioni, besoj dhe shpresoj që përgjegjësitë penale do të jenë konkrete”, tha më tej Xhaçka, shkruan Top Channel.

Duke shprehur gjithashtu se nuk mund të lejohet cënimi i sigurisë së qytetarëve dhe as imazhi i vendit, e në kushtet e papërgjegjshmërisë së përsëritur të koncesionarit, për garantimin e sigurisë së Aeroportit të Rinasit është lëshuar një urdhër.

“Kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së Aeroportit Nënë Tereza të vendosen efektivë të Policisë sonë Ushtarake dhe të Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, deklaroi Xhaçka, duke theksuar se kjo është një praktikë e përdorur edhe nga vende të tjera të huaja.