Goli i Suarez vlen kualifikimin e Uruguait dhe Rusisë, Arabia Saudite i thotë lamtumirë Botërorit

Goli i Suarezit ndaj Arabisë Saudite kualifikon matematikisht Uruguain dhe Rusinë

Uruguaji është kualifikuar për në 1/8-t e finaleve të “Rusi 2018”, pasi ka fituar 1-0 ndaj Arabisë Saudite, në ndeshjen e vlefshme për Grupin A.

Me këtë rezultat feston edhe Rusia, pasi tani matematikisht këto dy ekipe, që kanë pikë të plota pas dy ndeshjeve të para, do të jenë në raundin e ardhshëm, teksa Arabia Saudite dhe Egjipti janë eliminuar.

Ndeshja e fundit, Uruguaji-Rusi do të përcaktojë edhe vendin e parë të grupit, ku rusëve i bën punë edhe barazimi, pasi kanë golaverazh më të mirë se amerikano-latinët.

Kundër Arabisë Saudite, që ende nuk e ka gjetur golin e parë në këtë Botëror, Luis Saurez shënoi për Ururguaj, më mesin e pjesës së parë, atë që ishte ndeshja numër 100 me kombëtaren.

Sulmuesi i Barcelonës përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Mohammed Al Owais, gjatë një goditje nga këndi dhe tundi rrjetën me portën e boshatisur.

Ky ishte goli i parë për Suarez në këtë botëror, por duke qenë se ka shënuar edhe në 2010 e 2014, ai bëhet futbollisti i parë në historinë e Uruguajit që shënon gol në tre kampionate botërorë.

Nga ana tjetër uruguaianët e administruan me shumë kujdes lojën, patën mundësi të tjera shënimi me Carlos Sanchez dhe Cavanin, por nuk shënuan një tjetër gol, për t’i luajtur me më qetësi minutat e fundit.

Përballja direkte mes dy kryesuesve, Rusi-Uruguai do të vendosë se cila prej skuadrave do të renditet e para në grup. Vendit organizator i mjafton edhe barazimi, sepse ka golaverazh shumë më pozitiv.