Gjykata britanike i konfiskon pasaportën të arratisurit të FETO-s

Pasaporta e Hamdi Akin Ipek, ish-kreu i Koza Ipek Holding, u konfiskua për të parandaluar atë që të largohet nga Britani gjatë procesit të tij gjyqësor

 Një gjykatë britanike konfiskoi pasaportën e një biznesmeni të arratisur nga Turqia i kërkuar për përfshirje në tentativën për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 me qëllim për ta parandaluar largimin e tij nga Britania, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasaporta e Hamdi Akin Ipek, ish-kreu i Koza Ipek Holding, u konfiskua për të parandaluar atë që të largohet nga Britania gjatë procesit të tij gjyqësor.

Kërkesa e Turqisë për ekstradimin e Ipekut me miratimin e Zyrës së Jashtme britanike i është dorëzuar më parë autoriteteve të Britanisë.

Pas arrestimit të tij në muajin maj të këtij viti, Ipek u lirua me kaucion prej 50.000 funtash.

Në Britani, kërkesat për ekstradim i drejtohen gjykatës me miratimin e Zyrës së Jashtme.

Nëse gjykata e cilëson urdhërarrestin dhe kërkesën për ekstradim të duhur, vendimi i gjykatës zbatohet gjithashtu me miratimin e Zyrës së Jashtme.

Ipek, i akuzuar për përpjekje për të përmbysur qeverinë e Turqisë dhe për shkelje të kushtetutës, përballet me burgim të përjetshëm nëse dënohet.

Ai është duke u përballur gjithashtu me 132 vjet burg me akuzat për formim të një grupi të armatosur terrorist, spiunazh ushtarak dhe politik, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të parave.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA Fetullah Gulen orkestruan tentativën për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016, e cila martirizoi 251 persona dhe plagosi 2.200 të tjerë.