Gjorge Ivanov nuk e nënshkroi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë

Presidenti Ivanov tha se "në ushtrimin e detyrës së tij gjithmonë ka vepruar me përgjegjësi dhe të drejtat dhe detyrat e tij i ka ushtruar në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe interesave të Maqedonisë"

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot mori vendim të mos e nënshkruajë dekretin e Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për tejkalimin e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, që Kuvendi e miratoi më 20 qershor, pasi e njëjta u nënshkrua më 17 qershor në Prespë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në letrën që e dërgoi deri te Kuvendi, Ivanov thekson se “në ushtrimin e detyrës së tij gjithmonë ka vepruar me përgjegjësi dhe të drejtat dhe detyrat e tij i ka ushtruar në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe interesave të Republikës së Maqedonisë”.

“Andaj, në bazë të nenit 75 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, mora vendim të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhje të dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerje të validitetit të Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosje të partneritetit strategjik mes palëve”, thotë Ivanov.

Presidenti Ivanov në letrën e tij thekson pesë arsye pse vendosi të mos e nënshkruajë dekretin.

Në arsyen e parë thotë se nuk ka mandat ta nënshkruajë dekretin për shpallje të ligjit për ratifikim të kësaj marrëveshjeje sepse në programin zgjedhor të vitit 2014 ka thënë se nuk do të pranojë ndryshimin e kushtetutës për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues dhe nuk ka pranuar ide që cenon identitetin kombëtar maqedonas, ndërsa mbështetje të kësaj politike i kanë dhënë 534.910 votues.

E dyta, sipas presidentit, Marrëveshja del jashtë përfshirjes së rezolutave 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse në to flitet për dallim rreth emrit të shtetit”, e jo për “dallime” siç flitet në këtë marrëveshje.

E treta dhe e katërta, Ivanov konsideron se marrëveshja nuk është ratifikuar në pajtim me kushtetutën, gjegjësisht me nenet 51, 118 dhe 119. Në nenin 119 thuhet se marrëveshjet ndërkombëtare i nënshkruan presidenti, ndërsa mund t’i nënshkruajë edhe Qeveria nëse ajo është e përcaktuar me ligj.

Dhe e pesta, sipas Ivanovit, marrëveshja e sjellë Maqedoninë në pozitë të nënshtrimit dhe varshmërisë ndaj shtetit tjetër, përkatësisht Republikës së Greqisë. Sipas nenit 308 të Kodit penal, “Qytetarët të cilët do ta sjellin Maqedoninë në pozitë të nënshtrimit apo varshmërisë ndaj ndonjë shteti tjetër, do të dënohen me burg st paktën pesë vite”.

Kuvendi i Maqedonisë më 20 qershor me 69 vota për e ratifikoi marrëveshjen me Greqinë. Tani, ratifikimi kthehet në Kuvend dhe nëse votohet me 61 vota, sipas Kushtetutës, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin.