Gjermania planifikon të plotësojë mangësitë në ushtri nga vendet e BE-së

Gjermania planifikon t'i plotësojë mangësitë e personelit ushtarak me qytetarë me përvojë ushtarake në vendet e Bashkimit Evropian, tha një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes

Në Gjermani është duke u diskutuar që vendi të plotësojë mangësitë e personelit ushtarak me qytetarë me përvojë ushtarake në vendet e Bashkimit Evropian (BE), njoftuan mediumet gjermane, transmeton Andolu Agency (AA).

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes në një deklaratë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA ka bërë të ditur se ka nevojë për njerëz të kualifikuar për shkak se ushtria gjermane ka marrë drejtimin për rritjen e saj dhe se për këtë janë duke u vlerësuar me kujdes të gjitha alternativat.

Po i njëjti zyrtar ka vënë në dukje se në kuadër të politikave të reja të sigurisë të njoftuara në vitin 2016 në vend, në rendin e ditës është marrja e personelit nga vendet e BE-së për ushtrinë gjermane dhe se të gjitha këto janë të përfshira në strategjinë humanitare të rinovuar.

Ndërkaq, zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate (SPD) për politikat e mbrojtjes, Karl-Heinz Brunner, në lidhje me çështjen tha për median gjermane se është e gabuar strategjia e re që ushtria të ndjekë burimet njerëzore, duke tërhequr vëmendjen se ka rrezik që ushtria të kthehet në një ushtri me pagesë në rast se premtohet nënshtetësi gjermane.

Kryetarja e grupit parlamentar të partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, ka theksuar se mangësia ushtarake buron si pasojë e heqjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe se kjo situatë duhet të rregullohet menjëherë.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak i cili u vendos në Gjermani në vitin 1957, u hoq më 1 korrik 2011.

Në kuadër të planit synohej që edhe numri total prej 250 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak në ushtrinë gjermane të ulej në 185 mijë. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk është hequr nga kushtetuta, por në zbatim ushtria bazohet sipas shërbimit ushtarak vullnetar.