Gent Cakaj në Maqedoni, takon homologun Dimitrov dhe kryeministrin Zaev

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar në Shkup me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar në Shkup me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Cakaj ka thënë se vizita e tij është më tepër simbolike, por edhe shprehje e domosdoshmërisë së thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve: “Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka mbështetur Marrëveshjen e Prespës dhe Kuvendi ynë ka miratuar ndër të parët protokollin qasës. Shqiptarët në Maqedoni kane qenë faktor shtetformues që nga Marrëveshja e Ohrit e deri te arritja e Marrëveshjes së Prespës. Mirëpresim vendimin për ligjin e gjuhës shqipe”, raporton Top Channel.

Ndërkohë, Dimitrov ka deklaruar se kanë biseduar për çështjet e rajonit: “Falënderova për shpejtësinë që Kuvendi i Shqipërisë tregoi në ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Folëm edhe për situatën në rajon. Suksesi i një shteti në rajon nënkupton sukses për të gjithë rajonin”.

Një ditë më parë, ministri në detyrë Cakaj u takua me liderët e partive shqiptare, Kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, Kryetarin e Lëvizjes BESA Bilal Kasami, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, si dhe me Kryetarin e Partisë Alternativa, Afrim Gashi.

Në këto takime diskutimet u përqendruan në hapat pozitivë që Maqedonia e Veriut ka shënuar së fundi, falë kontributit të pazëvendësueshëm të faktorit shqiptar, në proceset integruese Euro-Atlantike.

Marrëveshja e Prespës dhe Miratimi i Ligjit të Gjuhëve janë arritje historike, të cilat e orientojnë vendin drejt qëllimeve strategjike për europianizim tërësor, në paqe, siguri e prosperitet

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në vizitën e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut zhvilloi sot një takim me kryeministrin Zoran Zaev.

Një vëmendje e veçantë iu dedikua thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, në kuadër të mekanizmit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe angazhimeve të ndërmarra në lidhje me bashkëpunimin rajonal.

Ministri Cakaj në fjalën e tij shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e Shqipërisë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, mbi të gjitha mbështetjen në finalizimin e anëtarësimit të plotë në NATO dhe më tej në Bashkimin Evropian.