Fundoset varka me refugjatë në ujërat e Qipros Turke, 19 të vdekur

Varka me rreth 150 refugjatë është fundosur në ujërat e bregut të Yeni Erenköy (Gialousa). Bëhet e ditur se 19 persona kanë humbur jetën, ndërsa 103 persona janë shpëtuar

 Të paktën 19 persona kanë humbur jetën, 103 janë shpëtuar dhe 25 të tjerë janë të zhdukur, si pasojë e fundosjes së një varke me refugjatë në ujërat e Qipros Turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Rojës Bregdetare të Qipros Turke, një varkë me rreth 150 refugjatë është fundosur në ujërat e bregut të Yeni Erenköy (Gialousa). Pas incidentit ekipet e shpëtimit të Rojës Bregdetare intervenuan, por bëhet e ditur se 19 persona kanë humbur jetën, ndërsa 103 persona janë shpëtuar.

Zyrtarët njoftuan se vazhdojnë punimet për kërkim-shpëtim të 25 persona të cilët mbeten të zhdukur.

Në punimet e kërkim-shpëtimit marrin pjesë edhe zyrtarët turq.

Refugjatët e shpëtuar nga varka e fundosur janë dërguar në Turqi.