Në qytetin Nantes të Francës kanë vazhduar protestat dhe përplasjet që filluan pasi policia vrau një 22-vjeçar me prejardhje emigranti gjatë një kontrolli të letërnjoftimit të martën, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas shtypit francez, afër 50 automjete, përfshirë edhe atë të kryebashkiakes Johanna Rolland, janë djegur në protestat që kanë vazhduar mbrëmë në shumë lagje të qytetit.
Ndërkohë, në lagjen Bottiere i është vënë flaka shkollës së mesme Leonard De Vinci.
Autoritetet kanë arrestuar tre persona, prej të cilëve një të moshës 14 vjeçe.
Transporti publik nga orët e mbrëmshme deri sot në mëngjes nuk kanë punuar për shkak të incidenteve, sipas një vendimi të marrë më herët nga TAN, autoriteti i trenave, tramvajëve dhe autobusëve në qytet.
Prokuroria e Nantesit më herët ka njoftuar për arrestimin e policit pas vrasjes së të riut me emrin Aboubakar Fofana teksa ndodhej në automjetin e tij dhe se hetimi në lidhje me rastin është në vijim.
Mbi një mijë persona mbrëmë në lagjen Breil organizuan një marsh në heshtje me thirrje të familjes dhe të afërmve të Fofanas.
Më herët gjatë protestave i është vënë flaka shumë ndërtesave zyrtare dhe automjeteve ndërsa ishin arrestuar 11 persona.