Franca rikthehet në majën e botë sërish, “Gjelat” mposhtin Kroacinë në finale

20 vjet më pas Franca sërish në majën e botës, Kroacia bie në finale...

Franca është shpallur kampione e botës duke mundur 4-2 Kroacinë në finalen e madhe të Moskës. Një autogol i Madzukic dhe golat e Griezmann me penallti, Mbappe e Pogba, realizuan një “poker” për skuadrën e Didier Deschamps, i cili bëhet kështu i treti person në historinë e Kupës së Botës që e fiton atë si lojtar dhe trajner, pas Mario Zagallos dhe Franc Beckenbauer.

Ëndrra kroate u mbyll me një humbje, por ballkanasit befasuan të gjithë duke arritur deri në finale, që është edhe rezultati më i mirë në historinë e shtetit të tyre 27-vjeçar. Dy golat e Perisic dhe Madzukic nuk mjaftuan për të bërë mrekullinë, me francezët që u treguan më të saktë për të shfrytëzuar rastet e krijuara.

Kronika e ndeshjes

Kroacia e nis vrullshëm, duke iu afruar disa herë rrezikshëm portës franceze, por pa pasur saktësinë e duhur për të përfunduar me gol aksionet e saj. Francezët nuk arritën të afroheshin asnjëherë në portën kroate në çerekorëshin e parë, ndërsa këta të fundit e kuptuan që në një finale energjitë duhen edhe kursyer për të shfrytëzuar ndonjë hapsirë. Siç bënë në minutën e 14 kur Perisic mori një top në krah të majtë, por krosimi i tij tokazi ishte shumë i dobët dhe u lagua nga Umtiti pa mbërritur në këmbët e Mandzukic.

Por gjithë entuziazmi me të cilin Kroacia e kishte nisur këtë finale Botërori u shua kur Antoine Griezmann fitoi një goditje dënimi në hyrje të zonës dhe gjuajtja e tij u devijua nga Mandzukic me kokë duke përfunduar në rrjetë me Subasic në pamundësi për ta kapur. Njeriu që shënoi golin i cili çoi Kroacinë në finale pati kështu fatin e keq të qenit lojtari i parë që shënon një autogol në historinë e Kupës së Botës.

N’Golo Kante u bë i pari që ndëshkohet me karton të verdhë pasi ndërhyri nga prapa për të ndalur vrapimin e Perisic, me Kroacinë që u pqepoq të reagonte pas golit të pësuar. E pikërisht nga kjo goditje dënimi erdhi edhe goli i barazimit. Krosim i Modric, Vrsajlko e dërgon në zonë me kokë dhe lojtari i Interit lirohet bukur, e kalon topin në të majtën e tij të preferuar dhe mposht Lloris me një gjuajtje të fortë.

Në minutën e 35-të arbitri Nestor Pitana bëhet i pari arbitër që akordon një penallti në një finale Botërori falë sistemit VAR, duke konsideruar një prekje të topit me dorë të Perisic në zonë si faull, pasi e pa për pothuajse dy minuta pamjen e përsëritur. Griezmann nuk gabon nga pika e bardhë dhe Franca e sheh përsëri veten në avantazh.

Pjesa e dytë

Kroatët e nisin sërish me vrull të madh edhe pjesën e dytë dhe rrezikojnë pa vetëm dy minutash lojë, kur Rakitic jep një pasim të artë për Rebic pas një depërtimi vertikal, por sulmuesi i Eintracht Frankfurt godet mbi traversë.

Deschamps kupton shpejt që diçka nuk shkon me Kante dhe nuk i lë as dhjetë minuta në pjesën e dytë, duke e zëvendësuar me Steven N’Zonzi, për më shumë freski në qendër të fushës, ku Franca ka vuajtur jo pak.

Në të 59’ Pogba shënon golin e tretë për Francën, në përpjekjen e dytë në hyrje të zonës, pas një topi të përkryer të Griezmann. “Gjelat” në delir, ndërsa ballkanasit duken të dorëzuar. Ndoshta për këtë, pak sekonda më vonë rrezikojnë të pësojnë edhe golin e katërt, por një top në zonë për Griezmann largohet me shumë vështirësi nga Brozovic, raporton EDS.

Por pak minuta më vonë vjen edhe goli i katërt. Hernandez cdriblon Mandzukic dhe Vrsajlkon në krah të majtë dhe fut topin ne qendër te Mbappe. Pasi matet dhe me të djathtën mposht për të katërtën herë Subasic, duke u bërë adoleshenti i parë që prej Pelesë në vitin 1958 që shënon në finalen e një Botërori.

Sfida dukej e mbyllur por për të rindezur një fije shprese për Kroacinë mendoi kapiteni francez Hugo Lloris, i cili me një gafë fatale i dhuroi golin e dytë ballaknasve. i paqartë për largimin e topit, portieri e përplas në këmbët e Mandzukic, i cili e dërgon në rrjetë duke korrigjuar autogolin në fillim të takimit.

Por kjo nuk mjaftoi dhe në fund kroatët duhet të dorëzoheshin para madhështisë franceze, që siguron kështu Botërorin e dytë në historinë e saj, pas atij të vitit 1998.

https://streamable.com/a15xz