Franca i falet Mbappe, Kupa e Botës mbetet thjesht një ëndërr për Messin

Mbappe “shkërmoq” Argjentinën. Messi i jep lamtumirën Botërorit

Forma e dobët e treguar në ndeshjet në grupe e Argjentinës, u konfirmua edhe sot ndaj Francës, kur u mposhtën me rezultatin 4-3 dhe i dhanë lamtumirën botërorit “Rusi 2018”. “Albiçelestët” kaluan grupet mes shumë vuajtjeve, por në fazën e 1/8-ave gjetën përballë një Mbappe të jashtëzakonshëm, që me shkëlqimin e tij, la në “errësirë” yllin argjentinas, Lionel Messi.

Numri 10 i Francës mori një top nga mesi i fushës, “dogji” në shpejtësi mbrojtjen argjentinase që në minutën e 13’ dhe u ndal me faull nga heroi i ndeshjes me Nigerinë, Marcos Rojo. Për arbitrin nuk ka dyshime, 11-metërsh për Francën, që ekzekutohet saktësisht dhe shndërrohet në gol nga Antoinne Griezmann.

Vetëm 5 minuta më vonë, Mbappe ndalet sërish nga Tagliafico, që ishte edhe lojtari i fundit, por arbitri akordoi vetëm goditje dënimi dhe karton të verdhë për mbrojtësin argjentinas, duke ia kursyer të kuqin.

Argjentina u zgjua në minutën e 41-të, kur Angel Di Maria nxori nga repertori i tij një goditje të jashtëzakonshme, që pavarësisht distancës së largët, përfundoi në rrjetën e Hugo Lloris, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte në barazim 1-1.

45-minutëshi i dytë nis sërish me gol për Argjentinën, kur Mercado shtyu në rrjetë një top të hedhur në zonë nga Messi dhe u krijua ideja sikur “Albiçelestët” do të mund të vijonin më tej.

Gjithsesi barazimi erdhi në minutën e 57’, me një supergol të Pavard, që lëshoi një silurë me të djathtën, me topin që u ndal në rrjetën e portës së Argjentinës.

Më pas filloi Mbappe-show sërish, me sulmuesin e PSG-së, që tregohet i jashtëzakonshëm në minutat e 64’ dhe 68’, duke arritur të shënojë dy gola mjaft të bukur dhe të çojë rezultatin në 4-2.

Në minutat e mbetura, Franca filloi të administrojë lojën dhe të mbrojë rezultatin, ndërsa Argjentina tentoi vetëm një herë me Messin të rihapë takimin, por kapiteni nuk ia doli të shënojë.

Goli i shënuar nga Aguero në minutën e tretë shtesë, shërbeu vetëm për statistikë, pasi nuk kishte më kohë për të barazuar. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se pavarësisht rezultatit, trajneri Horge Sampaoli nuk preferoi të hedhë në fushë lojtarë si Higuain dhe Dybala, emra me peshë, që mund të ndryshojnë fatin e një ndeshjeje.

Argjentina i jep kështu lamtumirën botërorit “Rusi 2018”, pa lënë aspak gjurmë dhe duke marrë vetëm një fitore, atë ndaj Nigerisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Lionel Messin, një futbollist që me Barcelonën ka “pushtuar” botën, por me Argjentinën duket një lojtar i rëndomtë, që dallon vetëm nga shiriti i kapitenit dhe numri 10 mbi shpinë.