Foshnja 11 muajshe Bedirhan, viktima e fundit e PKK-së

Foshnja humbi jetën nga një sulm me bombë i organizatës terroriste PKK në provincën juglindore të Turqisë, Hakkari, në të cilin jetën humbi edhe nëna e tij, Nurcan Karakaya, njëherësh bashkëshortja e një ushtari të forcave turke

Foshnja 11 vjeçare Bedirhan ishte viktima e fundit e organizatës terroriste PKK, e cila gjatë akteve të saj terroriste që kanë për qëllim të fusin frikën në mesin e banorëve të rajonit nuk ka kursyer as edhe qindra fëmijë që kanë masakruar dhe plagosur, shkruan Anadolu Agency (AA).

Foshnja humbi jetën nga një sulm me bombë i organizatës terroriste PKK në provincën juglindore të Turqisë, Hakkari, në të cilin jetën humbi edhe nëna e tij, Nurcan Karakaya, njëherësh bashkëshortja e një ushtari të forcave turke.

Foshnja Bedrihan nuk ishte viktima e vetme fëmijë që pësoi nga duart e përgjakura të organizatës terroriste PKK. Në sulmet mizore të kryera në periudhë kohore prej 34 viteve, PKK ka ekzekutuar numër të madh fëmijësh, të rinjsh, grash dhe të moshuarish si dhe mijëra familjeve të tjera u ka shkaktuar dhimbje të paharruara.

PKK, e cila kreu sulmet e para më 15 gusht të vitit 1984 në qarkun Eruh të provincës Siirt dhe qarkun Şemdinli të Hakkarit, në zonat rurale nuk gjeti atë që shpresonte, andaj, aktivitetet i barti në qendrat e qyteteve duke shkaktuar masakër nga e cila humbën jetë civilë të shumtë.

Organizata gjakatare, me sulmet bombarduese dhe të armatosura me të cilat kishte synim prishjen e qetësisë dhe paqes së Turqisë, pos forcave të sigurisë, objektiv ka pasur dhe qytetarët civilë të vendit si nxënësit, edukatorët dhe punonjësit shëndetësorë.

Ende nuk janë fshirë nga kujtesa vrasja e civilëve dhe fëmijëve të vegjël në djep nga sulmet e PKK-së të kryera në vendbanimet e ndryshme përgjatë viteve 1980 dhe 1990.

Edhe përkundër faktit që kanë kaluar 23 vite, ende nuk është harruar ngjarja kur terroristët e PKK-së më 21 tetor të vitit 1993, në fshatin Derince në qarkun Baykan të provincës Siirt, në oborrin e shkollës vranë 22 persona, prej të cilëve 13 ishin fëmijë. Gazetarët të cilët fotografuan trupin e vogël të qefinosur të vogëlushit 3 vjeçarit Serkan, i treguan botes fytyrën e pamëshirshme të terrorizmit. Pas kësaj masakre, Abdullah Öcalan, kreu i organizatës terroriste, e fitoi nofkën “vrasës i fëmijëve”.

Në këto sulme, shumë civilëve iu mohua e drejta për jetë. Masakrat i lanë fëmijët jetimë, gratë të veja, qindra civilë të gjymtuar dhe dhimbje të pafundme për ata që humbën fëmijët e tyre.

– Nuk është harruar bombardimi para mësonjëtores

Në kujtesë ende ngelet edhe sulmi me bombë i PKK-së ndaj automjetit të shërbimit ushtarak i para një mësonjëtoreje në qarkun Yenişehir në qendër të Diyarbakırit, më 3 janar 2008, ku humbën jetën shtatë persona, prej të cilëve 6 ishin nxënës.

Gjatë sulmit mizor, humbën jetën Eren Şahin Eronat, Salih Ekinci, Melek İpek, Rıdvan Süer, Ferhat Mutlu dhe Engin Taşkın, të cilët kishin shkuar në mësonjëtore për t’u përgatitur për provimin pranues në universitet, dhe mësuesi i tyre Cengiz Kaya. Në sulmin i cili shkaktoi dhimbje në shtatë shtëpi, u plagosën 73 persona.

– Ua dogjën edhe ëndrrat e tyre

Më 8 nëntor të vitit 2009, anëtarët e organizatës terroriste hodhën koktej molotovi në një autobus urban të qarkut Bağcılar të Stambollit. Si pasojë e zjarrit në autobus shkaktuar nga sulmi, brenda flakëve të zjarrit ngeli 17-vjeçarja Serap Eser, nxënëse në vit të fundit në gjimnaz, e cila po shkonte në shtëpi. Ajo vdiq në një spitali në të cilin u trajtua për afro një muaj.

Në minën e vendosur në mes të qytetit Durankaya dhe fshatit Geçitli të provincës së Hakkarit më 16 shtator të vitit 2010, humbën jetën nëntë persona, në mesin e të cilëve ishin dyvjeçari Nurullah Umut Çiftçi dhe foshnja 11-muajshe Zeynep Kurt, ndërkohë që katër persona ngelën të plagosur.

– Hapën zjarr ndaj automjeteve ku gjendeshin civilë

Më 20 shtator 2011, terroristët shënjestruan gjashtë vajza të reja. Derisa Zeynep Evin po shëtiste me veturë me shoqet e saj, terroristët hapën zjarr ndaj automjetit. Prej vajzave që gjendeshin në automjet, katër humbën jetën, kurse dy prej tyre ngelën të plagosura.

Më 26 shtator të po të njëjtit vit, në Batman, anëtarët e organizatës terroriste rrëmbyen një automjet. Tre terroristët të cilët nuk iu bindën urdhrit për dorëzim, hapën zjarr ndaj policisë. Anëtarët e organizatës terroriste, të cilët po qëllonin në mënyre kaotike gjatë përpjekjeve për ikje, qëlluan ndaj automjetit të Talat Doru, i cili po kthehej nga vizita e prindërve të tij të cilët përgatiteshin për të shkuar në Haxh. Gjatë kësaj ngjarje, humbi jetën Mizgin Doru (31 vjeçe), nënë e katër fëmijëve dhe shtatzënë në muajin e tetë, si dhe vajza e saj Sulltan Doru (katër vjeçe). Pas ngjarjes, foshnja djalë nga barku i nënës u nxor me prerje cezariane, por në spital arriti të jetojë vetëm një ditë. Në këtë ngjarje u lënduan edhe babai Doru dhe njëra prej vajzave.

Gjatë festës së Republikës, më 29 tetor 2011, në Bingöl, një nënë shpëtoi shumë jetë kur ndërhyri ndaj një shpërthimi vetëvrasës. Hatice Belgin, e cila kishte dalë për blerje para Kurban Bajramit me tre fëmijët e saj, duke ecur e pa shpërthyesin dhe kërceu mbi të. Nëna nuk e parandaloi shpërthimin, por parandaloi një fatkeqësi më të madhe duke e flijuar jetën e saj. Në këtë ngjarje, jetën e humbën nëna Belgin, i biri i saj Veysel dhe një qytetar tjetër, ndërsa 21 persona ngelën të plagosur.

– I vranë fëmijët të cilën po shpërndanin mishin e kurbanit

Në ngjarjet e 6-7 tetorit, pas deklaratës më 6 tetor 2014 për Bordin Ekzekutiv Qendror të HDP-së, ranë dëshmor dy nëpunës policorë, 31 persona humbën jetën dhe të plagosur ngelën 221 civilë dhe 139 policë. Mes atyre që humbën jetën, ishte dhe 16 vjeçari Yasin Börü, i cili në ditën e katërt të Kurban Bajramit, bashkë me dy shokët e tij, kishte dalë t’u shpërndajë mish kurbani njerëzve në nevojë.

– Doli nga shtëpia për të blerë perime dhe humbi jetën

Në provincën Silvan të Diyarbakırit, më 30 gusht 2015, si pasojë e shkeljes në minën e vendosur në rrugë nga anëtarët e organizatës terroriste PKK, humbi jetën 13-vjeçari Fırat Simpil, nxënës në klasën e gjashtë, i cili kishte dalë nga shtëpia për të blerë perime.

Në provincën Bismil të Diyarbakırit, më 28 shtator 2015, në sulmin e kryer nga terroristët mbi automjetin policor, nga predha e raketahedhësit që e goditi në shtëpinë e saj, humbi jetën nëntëvjeçarja Elif Şimşek.

Në provincën Kızıltepe të Mardinit, më 12 shtator 2015, pas lënies së shpërthyesit në një qese në afërsi të një shtëpie nga PKK, dy fëmijë u lënduan rëndë si pasojë e aktivizimit të mjetit shpërthyes në duart e tyre. Edhe përkundër ndërhyrjes në Spitalin Shtetëror të Kızıltepes, nëntëvjeçari Tahsin Uray nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

– Organizata gjakatare martirizoi prefektin

Në sulmin me bombë artizanale të kryer nga terroristët e PKK-së më 10 nëntor të vitit 2016 në zyrën e guvernatorit të zonës admnistrative Derik në Mardin, ra dëshmor guvernatori Muhammed Fatih Safitürk, i cili ishte caktuar si zëvendëskryetar bashkie nga ana e Ministrisë së Brendshme.

– Masakra në Dürümlü la jetimë 36 fëmijë

Pas uzurpimit të qarkut Genç të Bingölit, në natën e 12 majit të vitit 2017, mes terroristëve të PKK-të cilët ngarkuan 15 tonë shpërthyes në një kamion dhe i sollën në Lagjen Tanışık të Yenişehirit, dhe fshatarëve dyshues, ndodhi një grindje.

Pasi fshatarët nuk deshën t’i pranojnë në fshatrat e tyre, terroristët u nisën drejt Dürümlüsë. Me të vërejtur që fshatarët po i ndjekin, terroristët e shpërthyen kamionin e ngarkuar në hyrje të fshatit.

Gjatë këtij shpërthimi, humbën jetën 16 persona dhe 23 të tjerë ishin të plagosur. Fuqia e shpërthimit është ndjerë në shumë zona të qytetit dhe në vendin e ngjarjes ishte shkaktuar një vrimë me gjerësi 20 metra dhe thellësi katër metra. Organizata terroriste u bë shkak që 36 fëmijë të ngelin jetimë dhe tetë gra të ngelin të veja.

– Sulmet me objektiv mësimdhënësit

Në qarkun Kozluk të Batmanit, më 9 qershor 2017, nga sulmi i kryer ndaj automjetit të kreut të komunës Veysi Işık, u plagos rëndë mësuesja e muzikës, 22-vjeçarja Şenay Aybüke Yalçın, e cila po shkonte në shtëpi pas ceremonisë së dorëzimit të dëftesave. Yalçın ra dëshmore në spitalin Shtetëror të Kozlukut.

Më 16 qershor 2017, pasi u qëllua automjeti i tij, u rrëmbye Necmettin Yılmaz, mësues klasor i cili nga fshati Çiftçibaşı i qarkut Siverek të Şanlıurfas, po shkonte drejt vendlindjes Gümüşhane. Pas analizave të ADN-së, të bëra në një kufomë mashkull të gjetur më 12 korrik 2017 në Tunceli pranë lumit Pülümür, u kuptua se ajo i përkiste Yılmazit.

– E martirizuan Eren Bülbülin

Terroristët mizorë, në zonat rurale të qarkut Maçka të Trabzonit, e martirizuan edhe 16-vjeçarin Eren Bülbül, i cili u tregoi forcave të sigurisë vendin e terroristeve të cilët nga shtëpia e tij vidhnin ushqime.

Si pasojë e sulmit mizorë nga ana e terroristëve gjatë hetimeve në afërsi të shtëpisë, kur po i ndihmonte forcat të sigurisë, jetën hubmën Eren Bülbül dhe Rreshter Majori i Xhandarmërisë Ferhat Gedil, ndërsa një nëpunës sigurie u plagos.

– Sulm ndaj punëtorëve të rrugës

Në sulmin e armatosur të 2 korrikut të vitit 2017 ndaj kantierit të cilin punëtorët e kishin bërë gjatë ndërtimit të autostradës Şırnak-Van, humbi jetën një punëtor dhe një tjetër u plagos.

Terroristët e PKK-së, më 3 korrik të vitit 2017, sulmuan edhe punëtorët të cilët ndërtonin rrugët në Ortasu Beyaztepe të qarkut Uludere. Si pasojë e kësaj, jetën humbën dy persona dhe katër të tjerë u hospitalizuan.

– Objektiv ishin edhe politikanët

Në provincën Yüksekova të Hakkarit, më 9 mars të vitit 2017, si pasojë e një sulmi, u plagosën kryetari i Esenderes Tayfun Ayhan dhe vëllai i tij Murat Ayhan. Murat Ayhan nuk u shpëtoi plagëve edhe përkundër trajtimit në spital.

Organizata terroriste PKK sulmoi me armë edhe autokolonën prej dy veturave të kryetarit të qarkut Muradiye nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), İbrahim Vanlı. Vanlı shpëtoi pa marrë plagë, ndërsa jetën e humbi Adnan Vanlı, nipi i tij, pjesë e truprojës në automjetin tjetër përcjellës.

Më 30 qershor të vitit 2017, si pasojë e sulmit të armatosur të kryer para shtëpisë së tij, humbi jetën Orhan Mercan, zëvendëskryetar i qarkut Lice nga radhët e AK Partisë.

Më 1 korrik 2017, në Van jetën humbi Aydın Ahi, zëvendëskryetari i qarkut Özalp nga AK Parti, si pasojë e një sulmi ndaj tij.

Në lagjen Yeşilyuva të Şırnakut, më 31 gusht 2017, nga terroristët e PKK-së u vra para shtëpisë së tij Mehmet Paksoy, truproja e kandidatit të AK Partisë në zgjedhjet e vitit 2014 për kryetar të Bashkisë Uludere.

– Objektiv ishin dhe kryetarët e lagjeve dhe fshatrave

Organizata terroriste PKK ka pasur në objektiv të sulmeve të tyre edhe kryetarët e lagjeve dhe fshatrave, të cilët pos që shërbenin si ura lidhëse mes qytetarëve e fshatarëve dhe institucioneve shtetërore, ishin edhe liderë në shërbimin e tyre.

Më 17 gusht të vitit 2017, në qarkun Yüksekova të Hakkarit, u gjet i vrarë me plumb në kokë Nurettin Altun, drejtuesi administrativ lokal i Kadıköyit i rrëmbyer nga ana e PKK-së.

– Disa prej sulmeve të përgjakshme të organizatës terroriste

Në fshatin Ortabağ të Şırnakut, gjatë bombardimit në një dasëm më 22 janar 1987 nga ana e organizatës terroriste, jetën humbën tetë persona, prej të cilëve dy fëmijë dhe katër gra. Një ditë më pas, në lokacionin Gündükörte të qarkut Midyat të Mardinit, u vranë dhjetë persona, prej të cilëve dy foshnje dhe pesë fëmijë, kurse dhjetë të tjerë ngelën të plagosur.

Terroristët vazhduan me vrasjet e tyre kur në fshatin Açıkyol të qytetit Nusaybin të Mardinit. Më 7 mars 1987, ata vranë tetë persona, prej të cilëve gjashtë ishin fëmijë.

Më 20 qershor të vitit 1987, në fshatin Pınarcık të qarkut Ömerli të Mardinit, gjatë një bastisje të terroristëve u vranë egërsisht 30 persona, prej të cilëve 16 ishin fëmijë dhe gjashtë gra.

Në fshatin Haraberk të qytetit Midyat të Mardinit, më 8 korrik të vitit 1987, gjatë sulmit të terroristëve u vranë nëntë persona nga e njëjta familje, prej të cilëve shtatë ishin fëmijë dhe dy gra.

Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtat orë, një grup tjetër bastisi fshatin Peçenek, ku vranë 16 persona. Edhe në Çiftekavak të Şırnakut, terroristët e PKK-së vranë 11 persona, prej të cilave pesë gra, dy shtatzëna, dhe katër fëmijë.

Më 28 mars 1988, në fshatin Yağızoymak të Şırnakut, terroristët e PKK-së vranë 9 barinj. Organizata tha se barinjtë pretenduan se janë mbrojtësit e fshatit. Në të njëjtin vit, në fshatin Sümer të Dargeçitit, terroristët vranë tre mësues dhe njërin e plagosën.

Organizata terroriste separatiste PKK, në vitet 1990 dhe më pas vazhdoi me vrasjet pa bërë dallim mes forcave të sigurisë dhe civilëve. Në qytetin Kovancılar të Elazığut, më 21 mars 1990, terroristët që kishin zënë rrugën, vranë nëntë inxhinierë dhe një punonjës. Në të njëjtin vit, këtë radhë në 11 qershor në fshatin Çevrimli të Güçlükonakut në Şırnak, duke sulmuar shtëpitë e pylltarëve, terroristët vranë 27 persona, prej të cilëve 12 ishin fëmijë dhe shtatë gra.

Më 25 dhjetor 1991, terroristët hodhën një koktej molotovi në një shitore në Çetinkaya të Bakırköyit në Stamboll. Në zjarrin e vënë, humbën jetën 11 persona, prej të cilëve shtatë gra dhe një fëmijë.

Më 11 qershor të vitit 1992, në minibusin që e ndaluan në Tatvan të Bitlisit, terroristët vranë 13 persona.

Organizata e përgjakshme më 27 qershor 1992 sulmoi xhaminë e fshatit Yolaç në Silvan të Diyarbakırit, ku vrau dhjetë persona. Në të njëjtin vit, organizata përgjaku dhe qytetin e Hanit të Diyarbakırit, ku vrau 12 persona, prej të cilëve katër fëmijë dhe katër gra, dhe plagosi tre të tjerë.

Më 24 maj të 1993, në ndërprerjen që bënë në autostradën Bingöl-Elazığ, organizata terroriste ndaloi autobusin në të cilin gjendeshin ushtarët pa uniforma që shkonin drejt unioneve trajnuese përkatëse dhe martirizoi 33 ushtarë të paarmatosur. Derisa plaga që vendosi në zi shtetin ishte ende e freskët, më 30 qershor të vitit 1993, terroristën vranë shatatë civilë në fshatin Hamzabey të Mardinit.

Edhe përkundër faktit që kanë kaluar vite, është e pamundur të harrohet masakra e organizatës në fshatin Başbağlar të Erzincanit, më 5 korrik 1993. Organizata, e cila në orët e mbrëmjes e bastisi fshatin, pasi vrau 33 persona, i vuri zjarrin fshatit.

Anëtarët e PKK-së, të cilët ndaluan autobusin me udhëtarë në Maden të Elazığut, vranë tetë persona. Në të njëjtën ditë, terroristët sulmuan fshatrat Ormancık dhe Akyürek të Mardinit, duke vrarë 21 persona, prej të cilëve 11 ishin fëmijë.

Në qytetin Darıkent të Tuncelisë, më 11 shtator 1994, katër mësues u vranë nga terroristët. Një muaj pas kësaj ngjarjeje, PKK rrëmbeu pesë mësues që kryenin detyrat në fshatrat Katranlı dhe Taşkesen të Erzurumit dhe i vranë katër prej tyre.

Në fshatin Hamzalı në Diyarbakır, në ditën e parë të vitit 1995, terroristët e ardhur në fshat vranë 20 persona, në mesin e të cilëve bënin pjesë fëmijë, gra dhe të moshuar.

– Në vitet 2000 objektiv ishin civilët në qendrat e qyteteve

Organizata e përgjakshme e cila në zonat rurale pësoi humbje të mëdha përballë forcave të sigurisë, në vitet 2000 u drejtua drejt qendrave të qyteteve me qëllim shkaktimin e frikës dhe panikut te turmat. Organizata, e cila me sulme vetëvrasëse dhe kurthe tanimë kishte objektiv qendrat e qyteteve, më 9 korrik të vitit 1998 sulmoi një prej ambienteve më të populluara të Stambollit, Çarshinë e Erëzave. Si pasojë e shpërthimit humbën jetën shtatë persona, kurse 121 të tjerë ngelën të plagosur.

Më 22 maj 2007, në Çarshinë Anafartalar të Ankarasë, terroristët kryen një sulm vetëvrasës me bombë. Gjatë këtij sulmi humbën jetën nëntë persona dhe mbi 100 mbetën të plagosur.

Si pasojë e shpërthimit brenda dhjetë minutave të dy bombave të vendosura nga PKK në Güngören të Stambollit më 27 korrik të vitit 2008, jetën humbën 18 persona, prej të cilëve pesë ishin fëmijë, ndërsa 154 të tjerë kishin nevojë për trajtim mjekësor.

Më 22 qershor 2010, në Halkalı, sulmi i terroristëve ndaj shërbimit ushtarak shkaktoi vdekjen e pesë personave, prej të cilëve një ishte nxënës gjimnazi.

Më 20 shtator 2011, terroristët sërish e përgjakën Ankaranë. Gjatë shpërthimit në rrugën “Kızılay Kumrular”, humbën jetën tre persona dhe 34 të tjerë u plagosën.

Më 15 gusht 2016, në sulmin e organizuar me një autobombë në një qendër për kontroll të trafikut në Diyarbakır, jetën humbën pesë policë dhe dy civilë, prej të cilëve një ishte fëmijë.

Në Cizre të Şırnakut, më 26 gusht 2016, në sulmin e terroristëve të PKK-së ndaj Grupit të Forcave Ajrore, jetën humbën 11 policë dhe 78 persona u plagosën, në mesin e të cilëve një fëmijë shatatë muajsh.

Në Çinar të Diyarbakırit, më 13 janar 2016, në sulmin e terroristëve me autobombë ndaj Autoritetit për Siguri Krahinore dhe banesës së tyre, u martirizua një nëpunës policor dhe gjashtë persona të tjerë, prej të cilëve tre fëmijë të moshave pesë muaj, katër vjeç dhe 12 vjeç, ndërsa 39 persona u dërguan në spital për trajtim.

Në sulmin e kryer nga terroristët në afërsi të parkut Güven të Kızılayit më 13 mars të vitit 2016, jetën humbën 36 persona, në mesin e të cilëve viktima më e vogël e sulmit ishte foshnja në mitrën Songül Yılmaz, shtatzënë në muajin e gjashtë.

Në Sur të Diyarbakırit, më 10 gusht 2016, në sulmin e terroristëve të PKK-së me autobombë ndaj automjetit të shërbimit policor, humbën jetën një nënë, dy bijat dhe dy nipërit e mbesat e saj, kurse 12 persona u plagosën, prej të cilëve pesë policë.