Forcat turke kapin 4 terroristë të DEASH-it

Burimet e sigurisë thonë se njëri nga të kapurit ishte në "listën e kuqe" të të kërkuarve nga autoritetet turke

Katër pjesëtarë të dyshuar të grupit terrorist DEASH u kapën në juglindje të Turqisë, bëjnë të ditur sot burimet e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dyshuarit, të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, u kapën nga njësitë kufitare të Forcave të Armatosura Turke të premten në afërsi të qarkut Akcakale të provincës Sanliurfa në juglindje të Turqisë, tha burimi me kusht anonimiteti për shkak të kufizimit të kominikimit me mediat.

Një nga të dyshuarit u identifikua si Feride Samur, ndërsa të tjerët u identifikuan vetëm me iniciale O.S., A. A. dhe M. G.. Të gjithë të dyshuarit u arrestuan, sipas burimit.

E dyshuara Feride Samur ishte në “listën e kuqe” të të kërkuarve nga autoritetet turke, shtoi burimi.

Më shumë se 300 persona janë vrarë në sulmet e DEASH-it në Turqi, ku organizata terroriste ka vënë në shënjestër civilët në sulmet vetëvrasëse me bomba, sulme me raketa dhe armë.

Forcat turke të sigurisë janë vënë në një fushatë të gjatë për të penguar kërcënimet që vijnë nga DEASH-i.