Fondacioni Maarif i Turqisë shtroi iftar në Kosovë

Përfaqësia e Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV) në Kosovë priti në një iftar të premten përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në iftarin e organizuar në ndërtesën e Shkollave Ndërkombëtare Maarif në Prishtinë, ishin Ambasadori i Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, anëtari i bordit drejtues të TMV-së Zekeriya Akçam, drejtori i përgjithshëm i TMV-së në Kosovë, Oğuz Hamza Yılmaz, koordinatori turk i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, deputetë dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Sakar, në fjalën e tij të rastit, tha se shkollat Maarif në Kosovë, të cilat u shërbejnë më shumë se 600 nxënësve, kanë arritur sukses të rëndësishëm.

Duke nënvizuar se shkolla Maarif është e vetmja shkollë në Kosovë që ka mbështetjen e Turqisë, Sakar tha: “Shkollat ​​Maarif të Kosovës funksionojnë për të ofruar arsimin më të mirë për fëmijët tanë, të cilët janë e ardhmja e Kosovës, me aktivitete akademike, sociale dhe kulturore. Nuk kam dyshim se nxënësit tanë që do të kryejnë arsimin këtu do të bëjnë punë të dobishme për Kosovën, miqësinë mes Kosovës dhe Turqisë dhe mbarë botës”.

Anëtari i bordit të TMV-së, Akçam, tha në fjalën e tij se ekziston një lidhje e veçantë mes Turqisë dhe popujve të Ballkanit për shkak të së kaluarës së tyre të përbashkët.

Ministri i Zhvillimit Rajonal Damka po ashtu theksoi se investimet e bëra nga Fondacioni Maarif për rininë e Kosovës janë në fakt investime për të ardhmen e Kosovës.

Programi përfundoi pas leximit të lutjeve.