Fondacioni ALSAR bursa për studentët e ekselencës në Fakultetin Histori-Filologji

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë Dekani i Fakultetit të Histori - Filologjisë prof. dr. Sabri Laçi, kryetari i Fondacioni “ALSAR”, Z. Mehdi Gurra, pedagogë, studentë të ekselencës përfitues të kësaj burse.

U zhvillua sot në Fakultetin e Histori Filologjisë të Universitetit të Tiranës ceremonia e akordimit të bursave të ekselencës studenteve të këtij universiteti. Kjo veprimtari u realizua falë marrëdhënies se suksesshme të bashkëpunimit ndërmjet Fondacioni “ALSAR” dhe Dekanatit të këtij Fakulteti .

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë Dekani i Fakultetit të Histori – Filologjisë prof. dr. Sabri Laçi, kryetari i Fondacioni “ALSAR”, Z. Mehdi Gurra, pedagogë, studentë të ekselencës përfitues të kësaj burse.

Në këtë veprimtari përshëndeti të pranishmit dekani i Fakultetit të Histori – Filologjisë te universitetit të Tiranës Prof. Dr. Sabri Laçi, i cili vlerësoi veprimtarinë e larmishme të Fondacionit ALSAR në fushën e arsimit jo vetëm përmes projekteve të akordimit të bursave të studimit por edhe përmes realizimit te projekteve të përmirësimit të infrastrukturës arsimore në shkollat publike dhe pajisjen e tyre me bazë materiale e didaktike, duke i konsideruar ato si një kontribut të vyer në shërbim të shoqërisë e duke theksuar se investimi në arsim është investimi me i qëndrueshëm për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit.

Fjala e tij u pasua nga ajo e pedagoges prof.dr. Persida Asllani e cila do të referonte rreth veprimtarisë botuese të Fondacionit ALSAR duke u ndalur në mënyrë të veçantë rreth botimeve në fushën e albanologjisë si një kontribut i çmuar për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare.

Në vijimësi, drejtori administrativ i Fondacionit “ALSAR”, Z. Saimir Rusheku në fjalën e tij përshëndetëse u prezantoi të pranishmeve në mënyrë të përmbledhur veprimtarisë arsimore te fondacionit dhe ndër të tjera ai theksoi se “Programi i akordimit të bursave të ekselencës” për të cilin jemi mbledhur sot konsiderohet ndër projektet parësore dhe strategjike të Fondacionit “ALSAR”. Duke vijuar për të gjashtin vit radhazi, në këtë program kanë përfituar 650 studente të ekselencës me synimin për ti inkurajuar dhe ardhur në ndihmë atyre, për t’iu ofruar mundësi alternative që ata të zgjerojnë horizontin e njohurive të tyre, të aftësohen me shumë duke e orientuar vëmendjen e tyre edhe drejt programeve të vullnetarizmit, punës në grup, dhe mendimit kritik si mekanizmat më të mirë të aftësimit kulturor e profesional të rritjes së potencialeve të tyre intelektuale e aktivizimit shoqëror.

Më pas Kryetari i Fondacionit “ALSAR” Z. Mehdi Gurra në fjalën e tij do të vlerësonte Dekanatin e Fakultetit, prof.dr. Sabri Laci për zhvillimin e kësaj marrëdhënie të suksesshme bashkëpunimi dhe njëherazi duke i uruar suksese të mëtejshme studentëve në rrugëtimin e tyre akademik, premtoi se numri i bursave të ekselencës për studentet e fakultetit të Histori-Filologjisë do të dyfishohet vitin e ardhshëm.

Në përfundim të kësaj ceremonie studentëve të pranishëm iu akorduan çeqet e bursave të inkurajimit si dhe iu dhuruan botimet e Fondacionit “ALSAR”.