FMN i miraton Argjentinës kredi 50 miliardë dollarë

Në njoftimin e FMN-së thuhet se Bordi Ekzekutiv i miratoi Argjentinës ndihmën, e cila kërkoi një kredi 50 miliardë dollarëshe

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i miratoi Argjentinës një kredi me vlerë 50 miliardë dollarë, me qëllim të forcimit të ekonomisë dhe luftës kundër inflacionit në këtë shtet të Amerikës së Jugut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e FMN-së thuhet se Bordi Ekzekutiv i miratoi Argjentinës ndihmën, e cila kërkoi një kredi 50 miliardë dollarëshe.

Siç theksohet, në kuadër të marrëveshjes, Qeveria e Argjentinës në fazën e parë do të ketë në dispozicion 15 miliardë dollarë, nga të cilat 50 për qind janë të dedikuara për përkrahje të buxhetit.

Shumë e mbetur prej 35 miliardë dollarë, do të jetë në dispozicion gjatë tre viteve të ardhshme, më saktësisht pas secilit vlerësim që do ta bëjë FMN.

Ministri argjentinas i Financave, Luis Caputo, u tha gazetarëve se vendi i tij deri në vitin 2020 do të duhet të shkurtojë deficitin buxhetor bashkë me inflacionin i cili do të duhet të jetë nën 17 për qind deri në vitin 2019, dhe më vonë deri në vitin 2021 në nëntë për qind.

Një nga arsyet kryesore që Argjentina kërkoi ndihmë nga FMN-ja, ishte norma shumë e lartë e inflacionit.