Flamurtari mposht Kukësin, Teuta përmbys Tiranën

Kukësi-Flamurtari dhurojnë spektakël, në Kamëz triumfojnë vlonjatët. Tirana nuk di të fitojë, Teuta e përmbys.

Parashikohej një sfidë e hapur dhe me spektakël dhe i përmbushi plotësisht pritshmëritë. Kukësi-Flamurtari, e luajtur në Kamëz rezultoi një nga përballjet me të bukura të këtij sezoni, ku fitues dolën vlonjatët,  të cilët u treguan më të saktë në episode të veçantë. 1-2 u mbyll ky takim, kur për kuqezinjtë shënuar në pjesën e parë Veliu dhe Alves, ndërsa në fillim të fraksionit të dytë shkurtoi diferencën Shpehar.

Pjesa e parë ishte me mjaft ritëm nga të dy skuadrat. 15 minutat e para ishin studimore për të dy skudrat, më pas ishin verilindorët që me mbështetjen e tifozerisë bënë më shumë përpara. Nga krahu tjetër, miqtë ishin gjithmonë të gatshëm për të “kafshuar” portën e Frashërit. Daja kishte rreshtuar një ekip të kujdesshëm, por mjaft pragmatist. Portierët respektivë nuk u shqetësuan shumë deri në minutën e 39′. Aksion i rrëmujshëm në zonën e Kukësit, topi del te Pollozhani.

Mbrojtësi godet 1 metër larg portës me shumë forcë, por Frashëri bën mrekullinë. I pafat “gardiani i portës”, pasi sfera shkon te Veliu që me një goditje potente e pushon në rrjetë. Verilindorët reagojnë shumë shpejt dhe hidhen në kërkim të golit të avantazhit. Reginaldo ka një mundësi ideale, por gabon i vetëm përballë Koliçit. Portieri i vlonjatëve nis kundërsulmin vrastar të ekipit të tij me Busic dhe Alvesin. Braziliani merr në fund top mjaft të mirë nga kapiteni i tij dhe përshëndet rrjetën për herë të dytë 0-2. Rregulli i futbollit del në pah, kur nuk e bën e pëson!

Në fraksionin e dytë të lojës verilindorët hidhen në sulm me forca të shumta, madje dhe dalja e Limajt dhe Et’hemit për t’i lënë vendin Kalasë dhe Spehar dhanë frytet e tyre. Spehar shfrytëzoi një top në zonë, duke e devijuar me kokë, gabim fatal i portierit Koliçi që i shpëton topi nga duart dhe në rrjetë. Ngushtohen shifrat, Flamurtari vihet në gatishmëri për të mbrojtur rezultatin.

Megjithatë, kuqezinjtë krijojnë raste, madje mund të shënonin, por një pasim i Bushiçit për Alves nuk shkon siç duhet, ndërhyn një nga mbrojtësit e Kukësit dhe topi shkon te Frashëri. Deri në fund nuk ka ndryshim, Flamurtari bën parakalimin në tabelën e klasifikimit

Kukësi 1–2 Flamurtari
Shënues: 
Shpehar 50’/ Veliu 39′, Alvesh 45′

Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Zguro (Krasniqi 72′), Ethemi (Shpehar 46′), Shkodra, Limaj (Kalaja 46′), Tigruxha, Uilliam, Rexhinaldo. Trajneri: Armando Cungu.   gatshëm: Maloku, Qaqi, Selimi, Toure.

Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Useini, Mustafa (Alla 80′), Ribaj (Beqaj 74′), Torasa, Alvesh (Hyseni 64′), Bushiç. Trajner: Ilir Daja.  gatshëm: Qirko, Deliaj, Sirgi, Ymeraj.

Kartonë të verdhë: Krasniqi 73′, Shafik / Siljanovski 70′, Mustafa 77′

Gjyqtarë: Olsi Sokoli, Endrit Veseli, Erind Burgu, Orlando Kuka.
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Astrit Dervishi.

Golat e Ndeshjes:

GOOOL 50′ – Shpehar kthen në gol një harkim të Uilliam nga e majta.

GOOOL 45‘ –  Koliçi bëhet hero me një pritje vendimtare ndaj Rexhinaldo, menjëherë në kundërsulm kuqezinjtë, të cilët finalizojnë me anë të Alvesh, i cili i vetëm me Frashërin nuk e ka të vështirë që të shënojë. Kur nuk shënon e pëson, rregulli i pashkruar i futbollit mori jetë sërish.

GOOOL ! 40’’ – Flamurtari nuk heq dorë, lehtë, pasi Veliu provon me kokë pas një harkimi të Bushicc, megjithatë Shameti e ndal, më pas është Pollozhani që godet, por gjen Frashërin këtë herë, nuk gabon më Veliu, i cili shënon në goditjen e tij të dytë.

Ndeshja ka filluar me 14 minuta vonesë, për shkak të një banderole të “Tirona Fanatics”, që kontestonte presidentin e bardhebluve, Refik Halili. Duhej të ndërhynte policia, që ajo të mblidhej në duar nga tifozët kryeqytetas, të cilët në shenjë proteste janë larguar fare edhe nga stadiumi. Luhej në “Tofik Jashari” të Shijakut, për shkak se tapeti i stadiumit të Durrësit është në rikonstruksion të plotë.

Në minutën e pestë të lojës vjen rreziku i parë i ndeshjes. Sidibe, në pozicion ballor me portën e Ilion Likës, godet fort, por jo saktë. Durrsakët mundohen të jenë më kërkues, ngulmojnë me aksionet e tyre, por thyhen në zonën e 16-metrave të bardhebluve. Tirana duket e përforcuar në prapavijë, ndërsa ka si orientim daljen e shpejtë, me pasime nga krahët, për të shfrytëzuar kundërsulmin.

Në minutën e 13-të vjen këndorja e parë, në favor të Teutës. Hoxhallari eviton një rrezik serioz të bregdetarëve. Të dyja skuadrat kanë paqartësi në organizimin e lojës, ku bien në sy pasimet jo të sakta. Greca, në minutën e 16-të, tenton një parabolë sipër portierit durrsak, duke kërkuar më të vështirën dhe humbur një mundësi të mirë.

Tri minuta më pas, Avdyli godet bukur nga goditja e dënimit, ndërsa prekja me majat e gishtave e Likës eviton golin e sigurtë për “djemtë e detit”. Imami lëshon një predhë të vërtetë në minutën e 22-të, por grushton në vështirësi Hidi. Tri minuta më vonë, Edon Hasani i merr kohën portierit Hidi, e godet keq topin, pas asistit të Sentamu, dhe humbet rast ideal. Por, nga goditja e këndit, në minutën e 27-të, Tirana zhbllokon shifrat. Shkalla e devijon paksa topin në rrjetën e tij, pas krosimit direkt të Hasanit.

Minutat e mëtejshme të pjesës së parë janë disi konfuze, me dëshirë për të reaguar nga durrsakët, por Tirana mbron mirë dhe lart, mbi vijën e 16-metrave. Sentamu dhe Greca vënë në vështirësi prapavijën e Teutës me shpejtësinë e tyre, mund të kishin dyfishuar, por gabojnë në goditje.

Pjesa e dytë nis me një zëvendësim te durrsakët. Camarra i mer vendin Avdylit. Trajneri Shkëmbi kërkon të korigjojë diçka në mesfushë, sidomos nga krahët. Ka lëvizje taktike te bregdetarët, që tashmë luajnë me modulin 3-4-3, duke tentuar të shtyjnë sa më përpara. Bardheblutë janë më të zhdërvjellët, sidomos në qarkullimin e topit dhe pasimet e sakta, duke amortizuar në maksimum tendosjen e kundërshtarit, që bën gjithçka për të dalë nga disavantazhi.

Në minutën e 58-të, Kobina lëshon një silur nga distanca, por pa shënjestrën e duhur. Faullat shpeshtohen, me durrsakët që kërkojnë t’i zgjidhin gjërat me dëshpërim, por pa qartësi. Kjo gjë, bashkë me vonesat e lojës, iu shkon për shtat kryeqytetasve, që në planin taktik janë superiorë, duke administruar epërsinë me pjekuri.  Terreni fillon e rëndohet, ndaj rrugëdalje për lojtarët janë pasimet e gjata dhe topat e lartë. Mema i orienton të tijtë të mbrojnë lart, duke e mbajtur portën e Likës të paarritshme për Teutën.

Por kjo ndodh deri në minutën e 71-të, kur Bicaj shfrytëzon lëmshin në zonën bardheblu, duke barazuar, pas një krosimi të lartë nga goditja standarte. Nuk vonon shumë dhe brenda dy minitave, është sërish mbrojtësi lezhjan i Teutës, që shënon sërish. Përmbys gjithçka në dy minuta skuadra durrsake. Tirana nuk u beson syve, që më herët ka shpërdoruar një mundësi të artë me Kobina, kur mund ta kishte dërguar rezultatin në 2-0. Përmbushet ligji i pashkruar në futboll: po nuk shënove, do ta pësosh. Minutat kalojnë dhe rezultati nuk ndryshon. Shkëmbi mund Memën, me këtë të fundit ende në kërkim të suksesit të parë si trajner i 24 herë kampionëve të vendit.

Kategoria Superiore – Java 11

E premte, më 2 nëntor 2018, ora 14:00
Stadiumi “Tofik Jashari”, Shijak

Teuta – Tirana 2-1
Shënues: 
Bicaj 70′, 72′ /Hasani 28′

Teuta: Hidi, Gjorgievski, Shkalla, Bicaj, Beqja, Osmani, Sidibe, Avdyli (Kamara 46′), Kallaku (Gashi 76′), Progni (Ndreca 92′), Latif. (Të gatshëm: Çeleski, Ndreca, Gashi, Qato, Kruja, Vila, Kamara). Trajner: Bledi Shkëmbi.

Tirana: Lika, Doka, Atinga, Hoxhallari, Imami, Karabeci, Daja (Mauexhe 78′), Kobina, Hasani, Greca, Sentamu. (Të gatshëm: Abibi, Ismailgeci, Berisha, Cake, Mauexhe, Halili, Muçi). Trajner: Ardian Mema.

Gjyqtarë: Klajdi Kola, Rejdi Avdo, Enea Pashaj, Ilir Tartari; Gjyqtarë linje: Kridens Meta, Emirion Sino

Delegat: Marjus Sulejmani; Vëzhgues: Arianit Lulaj.
Karton i verdhë: Gjorgievski 81′

Golat e ndeshjes:

72′ GOL – Progni kroson nga një goditje dënimi, topi në zonë shkon te mbrojtësi Bicaj dhe ky i fundit me kokë mposhti portierin Lika.

70′ GOL– Goditje këndi për Teutën, krosi në zonë devijohet me kokë nga Bicaj fillimisht dhe më pas nga Sidibe. Topi mbetet në zonë dhe mbrojtë lezhjan pranë vijës fatale e dërgoi në rrjetë.

28′ GOL– goditje këndi, Hasani harkon në zonë dhe topi shkon në shtyllë dhe më pas nga Shkalla devijohet e përfundon në rrjetë.