Firma turke prodhon skaner me rëntgen që bllokon përhapjen e rrezatimit

"Fibra industriale e kanabisit që përdoret në prodhimin e përbërjes absorbon rrezatimin", tha Muzaffer Gökçimen, menaxheri i përgjithshëm i firmës TechnoArge, duke shtuar se skaneri po ashtu dezinfekton bagazhin gjatë skanimit

 Firma turke TechnoArge ka krijuar një skaner me rreze rëntgen për aeroportet me një përbërje të bazuar në kanabis që parandalon përhapjen e rrezatimit në mjedis, raporton Anadolu Agency (AA).

Materiali i përbërë bllokon emetimet e rrezatimit, tha për AA Muzaffer Gökçimen, menaxheri i përgjithshëm i firmës.

“Fibra industriale e kanabisit që përdoret në prodhimin e përbërjes absorbon rrezatimin”, tha ai, duke shtuar se skaneri po ashtu dezinfekton bagazhin gjatë skanimit.

“Skaneri me rreze rëntgen u patentua në 144 vende”, shtoi ai.

Skanerët standardë me rreze rëntgen emetojnë rrezatim në dozë shumë të ulët, sipas Institutit Britanik të Radiologjisë.

Firma po punon gjithashtu për një jelek antiplumb të prodhuar me komponimin e kanabisit, tha Gökçimen.

Ai tha se këta jelekë janë më të lehtë, më të lirë dhe 20 herë më të qëndrueshëm se jelekët standardë.

“Ne synojmë të prodhojmë furnizime automobilistike nga përbërja e kanabisit brenda një viti”, shtoi ai.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka njoftuar së fundmi se 19 qytete turke janë autorizuar për kultivimin e kanabisit.

Që nga vitet 1990, prodhimi i kanabisit ka qenë i kufizuar në mënyrë që të parandalohet prodhimi i marihuanës.

Kanabisi përdoret si lëndë e parë në industrinë e automobilave, drurit, ndërtimit, tekstilit, kozmetikës, bionaftës, ushqimit dhe letrës.