Fillon në Ankara Samiti i Jashtëzakonshëm i Organizatës së Shteteve Turke

Samiti i Jashtëzakonshëm i Organizatës së Shteteve Turke ka filluar nën mikpritjen e presidentit të Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

Në samitin e organizuar në Kompleksin Presidencial në Ankara me temën “Menaxhimi i Fatkeqësive-Emergjencave dhe Ndihma Humanitare”, marrin pjesë presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov, presidenti i Uzbekistanit, njëherësh kryesuesi i radhës, Shavkat Mirziyoyev si dhe përfaqësues të shteteve vëzhguese presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore, Ersin Tatar, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe kryetari i Këshillit Popullor të Turkmenistanit, Gurbanguli Berdimuhamedov.

Presidenti Erdoğan në zonën ku mbahet samiti erdhi së bashku me homolgun e tij kazak, Tokayev.

Liderët u pritën në hyrje nga kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Në hapësirat ku po mbahet samiti, fillimisht liderët u përshëndetën me presidentin Erdoğan ndërsa më pas kaluan në fotografinë familjare.

Gjithashtu në vendin e samitit ishin flamujt e 16 shteteve turke që janë formuar në histori dhe ushtarët e tyre.

Më pas liderët kaluan në mbledhjen e samitit të jashtëzakonshëm.

Samiti i cili po mbahet me propozimin e Azerbajxhanit për solidaritet me Türkiye-n e cila përjetoi tërmete të fuqishme, do të trajtojë çështjet lidhur me zhvillimin e bashkëpunimit në luftën kundër fatkeqësive dhe ndikimeve të tij.

Në samit gjithashtu do të shkëmbehen mendime lidhur me temat që janë në axhendën e përbashkët.