“FETO është një organizatë terroriste hibride”

Në përfundim të shumë hetimeve ndaj organizatës terroriste FETO, që pësoi disfatë në 15 korrik, në mënyrë të qartë dhe të prerë dhe me dokumente është vërtetuar se tentativa gjakatare për grusht shtetit ishte planifikuar nën drejtimin e kreut të FETO-s, Fetullah Gulen, se ajo u realizuan me elementë brenda forcave të armatosura nëpërmjet imamëve civilë, se këta imamë civilë para dhe gjatë tentativës për grusht shtetit kanë krijuar lidhje me kreun e organizatës terroriste Fetullah Gulen, që banon në SHBA.

Këto dokumente u janë përcjellë autoriteteve të SHBA-ve. Kjo organizatë terroriste, e përhapur në botë veçanërisht pas vitit 1990, me pamje të ndryshme është shtrirë në 170 vende të botës. Zgjatimet me pamje legale dhe para se gjithash të ashtuquajturat institucione arsimore të kësaj organizate, që mund ta cilësojmë si një rrjet terrorist global, përshtaten me aftësinë e një kameleoni me kushtet e vendit ku ndodhen. Kjo organizatë që ka gjetur strehë në rajone të ndryshme gjeografike, që nga Amerika, në Afrikë, nga Ballkani në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Largët, në kuadrin e programit të saj sekret, bën llogaritje tinëzare për të përhapur dhe për t’u fuqizuar më lehtësisht.

Kjo organizatë hiqet si mbrojtëse dhe drejtuese e vlerave që janë popullore në vendet ku ajo ndodhet dhe në shoqëritë ku ka depërtuar. Kjo organizatë, sipas çdo vendi dhe çdo shoqërie, ka maskat që mund të mbajë dhe petkat me të cilat mund të hyjë në to. Për shembull, në Shqipëri zgjatimet e organizatës e paraqesin veten si struktura që u dalin për zot të gjitha vlerave të përbashkëta bashkëkohore, historike, kombëtare dhe shpirtërore të Turqisë dhe Shqipërisë. Pa u turpëruar dhe pa u shqetësuar, ende në institucionet e tyre arsimore përdorin emrat ose referencat e personalitete të shquar politikë, historike dhe letrare të Turqisë dhe Shqipërisë. Por kjo organizatë nuk ka asnjë lidhje me vlerat kombëtare dhe shpirtërore, me Turqinë, Shqipërinë, me islamin ose me ndonjë fe tjetër.

Për këto arsye, FETO nuk është një organizatë terroriste në kuptimin klasik. FETO është një organizatë terroriste hibride, pas të cilës qëndrojnë shërbime të inteligjencës globale dhe disa shoqëri civile ndërkombëtare. Ky dallim duhet kuptuar mirë. Ju e dini dashurinë e sinqertë që ndien vendi ynë për Shqipërinë. Pastrimi i kësaj organizate nga Shqipëria para se gjithash është në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kur ne themi se kjo organizatë duhet asgjësuar plotësisht në këtë vend, duam që ajo që na ndodhi neve në sytë e të gjithë botës të mos ndodhë edhe vëllezërve tanë shqiptarë. Sepse organizata është e njëjta organizatë. Funksionimi i saj është i njëjtë me atë në Turqi ose në vendet e tjera të Ballkanit. Kështu pas natës së 15 korrikut, vëllezërit shqiptarë kanë filluar ti dallojnë të vërtetat. Institucionet arsimore dhe zgjatimet e tjera të FETO-s në Shqipëri po pësojnë një erozion në autoritetin e tyre. Një nga shkollat e tyre është mbyllur, nga institucionet e tjera arsimore po largohen me shpejtësi mësuesit dhe nxënësit. Mjekët e ndershëm turq që punojnë në institucionet shëndetësore, duke lënë mënjanë interesat materiale, kanë shprehur vendosmëri për të dhënë dorëheqjen. I duartrokas me gjithë zmeër për qëndrimet e tyre ballëlart. Edhe në administratat e shkollave, që i ka kapur shqetësimi, ka pasur disa ndryshime.

Ndërsa një pjesë e drejtuesve të shkollave po arratisen nga Shqipëria, edhe në kuadrot e tjerë drejtues po ndodhin ndryshime të shpejta. Po bëhen përpjekje për transferime shoqërish vetëm në letër dhe lojëra të tilla të ngjashme. Natyrisht që ne po i ndjekim këto përpjekje që po vazhdojnë. Sot persona me përkatësi fetoiste banojnë në mjedise si geto në lagje të ndryshme, nuk mund të dalin të jetojnë si njerëz. Madje ata nuk kanë mundur të vijnë as në Ambasadën tonë për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit. Unë dhe kolegët e mi do të vazhdojmë luftën deri sa të pastrohet edhe nga terroristi i fundit fetoist nga territori i Shqipërisë, i këtij vendi mik dhe vëlla. Ata duhet ta dinë shumë mirë se ashtu siç u kemi dhënë fjalën të afërmeve të dëshmorëve dhe të lënduarve, në të gjithë fetoistët e këtushëm nuk do ti lëmë të qetë deri sa ti dorëzojmë para drejtësisë turke./Frekuenca

*Shënim: Teksti më lart është pjesë e fjalës së ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk gjatë aktivitetit të sotëm në përkujtim të 15 korrikut 2016, tentativës për grusht shteti në Turqi