“Evropa të shikojë shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj emigrantëve”

Emigrantët e parregullt kanë kërkuar që Evropa të shikojë shkeljen e të drejtave të njeriut, pasi emigrantët e parregullt që janë kapur 3 ditë më parë në afërsi të pikës kufitare Kapıkule kanë theksuar se Greqia i ka kthyer me detyrim

Emigrantët e parregullt, egjiptianët Ahmet Xhuma dhe Velit Xhemal kanë shpjeguar për Anadolu Agency (AA) përjetimet e tyre me pretendimin se janë goditur dhe janë kthyer me detyrim në Turqi nga ushtarët grekë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ahmet Xhuma dhe Velit Xhemal, që janë dy nga 252 emigrantët e parregullt që janë kapur tre ditë më parë në afërsi të pikës kufitare Kapıkule, kanë theksuar se Greqia i ka kthyer me detyrim.

Me sytë e mbushur herë pas here me lot teksa shpjegojnë ato që kanë përjetuar, emigrantët e parregullt kanë kërkuar që Evropa të shikojë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të ndërhyjnë ndaj këtyre shkeljeve.

Emigranti i parregullt me origjinë egjiptiane Ahmet Xhuma ka shpjeguar se pasi kanë mbërritur në Greqi janë kapur nga ushtarët grek të cilët i kanë keqtrajtuar, madje që e kanë goditur atë dhe disa të tjerë në grup me grushte dhe shkopinj.

“Na morën ilaçet, paratë dhe telefonat që ne kishim në çantat tona. U sollën shumë keq me ne. Më pas mua më goditën me grusht në fytyrë, mi nxinë sytë. Ndërsa disa nga shokët i goditën me shkopinj”, tha Ahmet Xhuma.

“Falënderojmë Turqinë”

Edhe egjiptiani tjetër Velit Xhemal tha se pasi u kapën u dërguan në një stacion policie duke iu marrë të gjitha sendet dhe se forcat greke të sigurisë i kanë goditur.

“Unë isha i sëmurë, përdorja ilaçe. Më morën çantën dhe nuk mund të merrja ilaçet. Pasi kërkova ilaçet me rrahën. Pas qëndrimit për dy ditë pa ujë dhe ushqim në stacionin policor na dërguan në lumin Maritsa dhe pasi na rrahën na hodhën në lum. Kaluam në anën e Turqisë pasi niveli i ujit nuk ishte shumë i lartë. Na kapën ushtarët turq dhe u sollën shumë mirë me ne. Na dërguan në zyrën e migracionit, na dhanë ushqim dhe na siguruan nevojat tona. Ata që ishin goditur morën trajtimin e nevojshëm. Ne e falënderojmë Turqinë”, tha Xhemal.

Në dy vitet e fundit janë rikthyer 37.271 emigrantë të parregullt

Një grup emigrantësh të parregullt prej 252 personash u kapën para dy ditëve në afërsi të pikës kufitare Kapıkule nga njësitë e rojës kufitare dhe të xhandarmërisë turke. Për këto emigrantë pretendohet se në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare janë rikthyer me detyrim në Turqi nëpërmjet lumit Maritsa nga njësitë kufitare greke. Kjo ngjarje e përjetuar ditët e fundit ka sjellë sërish në rendin e ditës pretendimet që Greqia në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare rikthen me detyrim emigrantët e parregullt që hyjnë në vend ilegalisht.

Ministria e Jashtme e Turqisë nëpërmjet një deklarate më 27 tetor reagoi ndaj kësaj praktike që kryhet në kundërshtim me ligjin. Në deklaratën e ministrisë thuhet se Greqia rikthen në Turqi nga toka dhe deti emigrantët e parregullt. Autoriteteve greke iu bë thirrje që në vend që të mohojnë këtë situatë, të rregullojnë këtë praktikë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Në deklaratë thuhet se në vitin 2018 nga Greqia në Turqi janë rikthyer 11.867 emigrantë të parregullt, ndërsa në 10 muajt e parë të këtij viti 25.404 emigrantë të parregullt.