Shkrimi i Evans Drishtit thekson se edukimi i fëmijës fillon nga modeli i të rriturve: respekti, rregulli, ndjeshmëria, kultura dhe përgjegjshmëria ushtrohen së pari nga prindërit dhe mësuesit.Një fëmijë i edukuar mëson të veprojë me kulturë, etikë dhe logjikë,duke u përgatitur për një shoqëri të shëndetshme.
Le të zhvillojmë fillimisht njeriun e kulturës, e më pas njeriun e shkencës. Gjithçka nis e mbaron tek më të thjeshtat.
Nga Evans Drishti
Çdo respekt është dhe duhet të jetë reciprok. Çfarë do të thotë kjo?
Nëse fëmijës i themi:
“Dëgjoje me kujdes tjetrin, kur flet!”, jemi të detyruar që si prindër, si mësues, drejtues dhe më të rritur të dijmë se çfarë flasim, çfarë shpjegojmë, çfarë shprehim, çfarë dhe si arsyetojmë, si logjikojmë, si argumentojmë. Kur një i rritur nuk ka bagazhin dhe formimin e duhur për t’ia transmetuar një fëmije atë që është edukative dhe formuese, atëherë edhe fëmija mërzitet shpejt me të duke humbur shqisën e të dëgjuarit, e për rrjedhojë vëmendjen ndaj tjetrit.
Nëse fëmijës i themi:
“Përshëndeti njerëzit me fytyrë të qeshur, jepu përgjigje të qarta dhe të sakta!” janë prindërit në shtëpi, mësuesit dhe drejtuesit në shkolla që duhet t’u ofrojnë fëmijëve atmosferë të ngrohtë dhe familjarizuese, në mënyrë që vetë fëmija të ushqehet dhe të forcojë shqisën e një ndjeshmërie pozitive. Nëse kërkojmë nga fëmijët përgjigje të sakta, jemi ne, të rriturit të detyruar të peshojmë mirë mendimet tona dhe të dijmë të ofrojmë kërkesa të qarta, logjike dhe formuese.
Nëse fëmijës i themi:
“Ta dish, se sendet e të tjerëve nuk të përkasin ty!” është prindi së pari që duhet t’i ofrojë fëmijës privatësinë e vet duke e ndërgjegjësuar me idenë, se gjithçka duhet kërkuar me leje, në kohën e duhur dhe momentin e duhur, është mësuesi dhe drejtuesi i shkollës që janë të detyruar të krijojnë ambientin dhe atmosferën e sigurtë në shkollë, në mënyrë që edhe fëmija të ndjehet i qetë dhe i pavarur.
Nëse fëmijës i themi:
“Qëndro drejt dhe respekto oraret!”, fëmija natyrshëm që kërkon modelin e tillë në familje, në shkollë dhe në shoqëri, ndaj për sa kohë të injektohet një intuitë e tillë tek fëmija, instikti bëhet i kapërcyeshëm.
Nëse fëmijës i themi:
“Të vish gjithnjë me rroba të pastra!”, janë vetë prindërit fillimisht në shtëpi, që duhet t’u mësojnë fëmijëve si të lajnë rrobat, qoftë edhe një palë çorape, si të lajnë dhe pastrojnë enët, si ti ndenjin rrobat e lara me kujdes për t’u tharë, si të hekurosin, si të përdorin gjilpërën për qepje, si të fshijnë pluhurat, si të pastrojnë njollat, si t’i sistemojnë veshjet e tyre në raft, si të lyejnë dhe të mbajnë pastër këpucët… Të tilla angazhime janë detyrime si për vajza dhe për djem. Ashtu edhe në shkollë është vetë mësuesi dhe drejtoria, që duhen patjetër të organizojnë nxënësit në pastrimin e ambienteve për të siguruar gjithnjë higjienë të shëndetshme.
Nëse fëmijës i themi:
“Mbaje në rregull tryezën dhe ambientin tënd!” prindi është i detyruar t’i sigurojë fëmijës një tryezë pune dhe një ambient komod dhe ta ushqejë me rregullsi dhe disiplinë. S’mund ta kuptojë fëmija ç’do të thotë një tryezë e rregullt, kur tryeza në shtëpi dhe ambienti ku jeton janë në rrëmujë. E njëjta kulturë ushqehet më pas edhe në shkollë.
Nëse fëmijës i themi:
“Ndihmoje tjetrin, kur ka nevojë!” janë prindërit, mësuesit, drejtuesit dhe më të rriturit që detyrimisht të krijojnë raporte njerëzore dhe dashamirëse në prani të fëmijëve, në mënyrë që fëmija të kuptojë vlerën e një kulture të tillë. T’i shmangemi ndihmesës për të dhënë detyra shtëpie apo klase të gatshme. Ndihmesa më e mirë është, kur ofron orientime dhe udhëzime praktike dhe të qarta. Është më mirë t’i shpjegosh mënyrën si zgjidhet një ushtrim, se t’ia japësh ushtrimin e zgjidhur, kur ai/ajo nuk kupton asgjë. Prindërit në shtëpi s’janë shërbëtorë të fëmijëve të tyre, ndaj çdo bashkëpunim injekton tek fëmija edhe një ndihmesë me vend.
Nëse fëmijës i themi:
“Mos fol keq për tjetrin!”, janë më të rriturit që duhet t’u shmangen thashethemeve dhe smirllëkut, në mënyrë që edhe fëmija të mos injektohet me të tilla vese vrastare.
Nëse fëmijës i themi:
“Socializohu!”, këtë element duhet ta shohë pikësëpari në familjen e vet, teksa prindërit bashkë me fëmijët të organizohen së bashku për të parë një shfaqje në teatër, një film në kinema, një promovim libri, një ceremoni festive, një ekspozitë në galeri të arteve etj, dhe jo të ngelen thjesht dhe vetëm të ngulur ndër kafene. Këtë element duhet ta shohin në shkollë, teksa orët mësimore të mos zhvillohen thjesht dhe vetëm në klasa, por duke dalë përtej tyre dhe kur vetë shkolla të kthehet në një institucion kulturor.
Vendet e zhvilluara kanë kultivuar fillimisht këtë kulturë, duke arritur të kuptojnë më pas se cilit drejtim i përket fëmija.
Kur një fëmijë mësohet:
- të ecë në rrugë në mënyrë të rregullt dhe plot finesë
- të hyjë në shkollë dhe në klasë pa shkapetur derën
- të ulet në tavolinën e shtëpisë apo në bankën e klasës pa zhurmues
- të flasë me të tjerët (familjarë, mësues, drejtues, miqësi) me zë të ulët dhe kuptueshëm
- të peshojë mirë fjalët para se të shprehë mendimin e tij, duke mos abuzuar me lirinë e të shprehurit pa u menduar fare,
- të ofrojë shërbimet detyruese në shtëpi dhe në shkollë, pa u paralajmëruar disa herë
- të kuptojë se një orientim i saktë i marrë në kohën dhe vendin e duhur është më i vlefshëm se një kopjim detyre,
- të zhvillojë një lojë mbi bazën e rregullave të përcaktuara dhe normës së etikës, dhe jo në grindje apo përplasje të dëmshme,
- të arsyetojë se shkolla gjithsesi mbaron, por në fund çfarë rezulton,
atëherë kthjellohet për të kuptuar vlerën dhe peshën që i duhet të fitojë në shoqëri.
Kjo do të sjellë:
– Shkëputjen dhe distancimin në një farë mënyre nga telefoni;
– Shmangjen nga bullizmi, si fenomeni më vrastar i dekadës së fundit;
Prindër!
Kthehuni në fëmijërinë tuaj dhe bashkohuni me fëmijët për të përgatitur mjetet e duhura të shkollës! Shfletoni bashkarisht librat që u janë ofruar, mos t’ju trembin librat e tyre të shkollës, sepse aty do gjeni vizionin me të cilin do ushqehet trashëgimtari juaj.
Kuptoni dhe mësoni se në cilën shoqëri të klasës dhe të shkollës zhvillohet dhe kalon përditshmërinë fëmija juaj. Pasi çdo sjellje dhe reagim në klasë është një impuls pozitiv apo negativ në zhvillimin e fëmijës tuaj.
Çdo planprogram mësimor, në fund të vitit shkollor, në një mënyrë a në një tjetër përfundon, por çështja është si rezulton fëmija me mbarimin e shkollës? Thjesht më i rritur fizikisht, apo më i zhvilluar në vizion?!…
Qoftë i mbarë dhe me shumë arritje ky vit shkollor!
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.