Erjon Veliaj për përplasjen me UBT: Ju njoh me procedurat

Erion Veliaj do të jetë sërish i besuari i socialistëve për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës.

Erion Veliaj do të jetë sërish i besuari i socialistëve për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Nëse do të kisha një listë me 100 gjëra, them se 95 i kam bërë në krye të Bashkisë së Tiranës. Kam ende kohë për ato 5 gjëra të mbetura pa bërë”, shprehet kryebashkiaku për kohën e kaluar deri më tani.

I ftuar në “Top Show” këtë të martë, jashtë vëmendjes së intervistës së Erion Veliajt nuk mbetën edhe zhvillimet politike të ditës, por edhe ç’do të ndodhë me projektet e kontestuara të tij deri më tani.

Për përplasjen mes UBT-së dhe Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një shkolle, ku universiteti thotë se është në truallin e Kampusit Universitar, Erion Veliaj tha se pavarësisht opinioneve të ndryshme, duhet folur për fakte.

“Ne besojmë në gjëra të ndryshme, por duhet të flasim me fakte, sepse faktet janë fakte. Mbi faktet e pakundërshtueshme, ne mund të ndahemi në opinione të ndryshme”, tha Veliaj.

Intervista e Veliajt në “Top Show”, vjen pas një takimi pasditen e së martës mes tij, studentëve që protestojnë dhe rektorit në ambientet e Universitetit. Por çfarë propozon Veliaj për zgjidhje?

Sipas Veliajt, nevoja për një shkollë për 2.000 fëmijët e zonës “është e pakundërshtueshme”.

“Kemi shpronësuar një tokë private për shkollën, e cila do të jetë vetëm 600 metra distancë nga e gjithë zona përreth saj për komunitetin. Rektori thotë që ne duhet ta zhvendosim. Por është nonsens të zhvendosim një projekt për 100 metra. Ai ka vërtet masterplan të miratuar nga KKT, por kjo nuk është as leje zhvillimore, as leje ndërtimi. Debatet i pranoj, sepse kur kalova sheshin Skënderbej apo Pazarin e ri, kjo është diçka shumë e vogël. Sipas procedurave të Bashkisë së Tiranës, ne kemi gjetur pronën private të një shtetasi, buzë rrugës. Kemi hetuar si e kanë marrë këta tokën me kthimin dhe kompensimin e pronave në vitin 2006, nën drejtimin e demokratëve të Sali Berishës. Meqë këta ia kanë kaluar pronarit tokën, ne kemi dëmshpërblyer pronarët sepse atë tokë e shohim të arsyeshme për ndërtimin e shkollës”, tha Veliaj.