Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mbrëmë në Ankara u takua me kryeministren e Rumanisë, Viorica Dancila, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan pas takimit me kryeministren rumune deklaroi se Ankaraja dhe Bukureshti do të rrisin shkëmbimin tregtar në 10 miliardë dollarë.
“Këtë vit parashikojmë rritjen e shkëmbimit tregtar i cili në vitin 2017 arriti në rreth 6 miliardë dollarë. Gjatë bisedimeve tona dypalëshe, ne ramë dakord që shkëmbimin tregtar ta rrisim në 10 miliardë dollarë”, tha Erdoğan në konferencën për mediat.
Ai vuri në dukje se në Rumani aktualisht operojnë më shumë se 15,000 kompani turke në fusha të tilla si banka, media, ndërtim dhe prodhim.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim investimet e prodhueseve dhe biznesmenëve tanë në Rumani”, tha Presidenti turk, duke kujtuar se në vitin 2011 marrëdhëniet turko-rumune u vendosën në nivelin e partneritetit strategjik.
Ai gjithashtu theksoi se Turqia pret që Rumania të vazhdojë bashkëpunimin e saj në luftën kundër organizatave terroriste. “Nuk do të harrojmë solidaritetin e Rumanisë me vendin tonë pas përpjekjes së grushtit të FETO më 15 korrik”, tha Erdoğan.
Kryeministrja rumune, Dancila, tha se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë Turqinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian (BE). “Ne do të vazhdojmë të mbështesim hapat dhe përpjekjet e Turqisë drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ne mirëpresim kontributin e Turqisë për sigurinë në Evropë”, tha Dancila.
Ajo theksoi se Rumania dhe Turqia kanë marrëdhënie shumë të mira, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, tregtisë, arsimit dhe kulturës.
Ajo theksoi se të dy vendet ndajnë shumë vlera, veçanërisht në aspektin e sigurisë, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Në fund, ajo vlerësoi politikat e Turqisë ndaj migrantëve dhe refugjatëve.
Para takimit u nënshkruan marrëveshje bilaterale për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe shëndetësisë.