Erdoğan: Terroristët ende të pranishëm në zonën e sigurt në Sirinë veriore

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se zona e sigurt e planifikuar ende nuk është pastruar nga terroristët

Ende ka terroristë në zonën e planifikuar të sigurt në veri të Sirisë, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne e dimë se ka akoma terroristë në zonën e planifikuar të sigurt. Këto zona nuk janë pastruar ende nga terroristët”, ka thënë Erdoğan para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet.

Erdoğan vuri në dukje se terroristët përtej kufijve të zonës së sigurt po organizonin sulme ndaj forcave turke të sigurisë.

“Ne nuk do të jemi spektatorë të kësaj situate. Do të bëjmë atë që është e nevojshme siç kemi bërë më parë”.

“Turqia do të vazhdojë luftën e saj derisa terroristi i fundit të neutralizohet në Turqi, Siri dhe Irak”, tha Erdoğan.

Ras al-Ayn dhe Tal Abyad i Sirisë u pastruan nga terroristët gjatë Operacionit të Turqisë “Burimi i Paqes”, që filloi më 9 tetor për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat me qëllim të sigurimit të kufijve të Turqisë, ndihmesës për kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të sigurojë integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja dëshiron që terroristët e YPG/PKK të tërhiqen nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurt për të hapur rrugën e kthimit të sigurt të rreth dy milionë refugjatëve.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK – e renditur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40,000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega siriane e PKK-së.

Presidenti turk kritikoi gjithashtu qëndrimin e SHBA-së ndaj blerjes në Rusi nga Turqia të sistemit raketor S-400.

“Lidhja e S-400 që kemi blerë nga Rusia me çështjen F-35 dhe veçanërisht sanksionet dhe çështjet e tjera nuk kanë kuptim”, tha Erdoğan.

“Unë e shoh këtë këmbëngulje si një pretekst të ri për armiqësi drejtuar vendit tonë”, shtoi ai.

Erdoğan vuri në dukje se dyert e Turqisë janë të hapura për vendet, “të cilat janë të gatshme për të biseduar, negociuar dhe për kompromis me Turqinë në baza të barabarta”.

Turqia mori dy bateri të sistemit dhe të gjitha municionet e sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400, thanë burimet ushtarake, duke shtuar se trajnimi është në vijim e sipër.

Parlamenti i Turqisë të enjten dënoi rezolutën e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilët e njohën të ashtuquajturin “gjenocid armen” si dhe projektligjin që mbështet sanksionet ndaj Turqisë.