Erdoğan takon homologun rus Putin në Teheran

Recep Tayyip Erdoğan dhe Vladimir Putin u takuan para samitit trepalësh në Iran

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan u takua kokë me kokë me homologun rus Vladimir Putin në kryeqytetin e Iranit, Teheran, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi Erdoğan-Putin vjen para samitit midis liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit që do të mbahet në Teheran.

Para takimit me Putin, presidenti turk realizoi takim kokë më kokë edhe me presidentin e Iranit, Hasan Ruhani.

Gjatë samitit trepalësh, presidentët Erdoğan, Ruhani dhe Vladimir Putin do të diskutojnë përpjekjet e përbashkëta si pjesë e procesit të Astanas dhe përpjekjet politike për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin sirian.

Pas samitit, liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës së tij në Iran, presidenti turk shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Financave Berat Albayrak, shefi i Shërbimit të Inteligjencës (MIT) Hakan Fidan dhe shefi i komunikimit të Presidencës së Turqisë Fahrettin Altun.

Samiti i parë trepalësh u mbajt në qytetin e Soçit në Rusi më 22 nëntor për të diskutuar përparimin e bërë në bisedimet e paqes në Astana dhe ndryshimet në zonat e deeskalimit në Siri.

Ndërkaq, takimi i dytë ishte mbajtur në mikëpritjen e presidentit Erdoğan në prill në kryeqytetin turk Ankara.