Erdoğan takon homologun iranian Ruhani në Teheran

Takimi Erdoğan-Ruhani vjen para samitit midis liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit që do të mbahet në Teheran

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan u takua kokë me kokë me homologun iranian Hasan Ruhani në kryeqytetin e Iranit, Teheran, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi Erdoğan-Ruhani vjen para samitit midis liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Në takim, Erdoğan e cilësoi si të rëndësishëm samitin që do të mbahet sot në kryeqytetin Iranian.

“Sot me të vërtetë është ditë shumë e rëndësishme dhe e kuptimtë. Është ditë e premte. Pas Soçit dhe Ankarasë, në Teheran do të realizojmë një takim të rëndësishëm”, tha presidenti turk.

Ndërkaq, Ruhani tha se samiti i sotëm trepalësh organizohet për të gjetur zgjidhje për problemet rajonale.

“Ky takim do të jetë edhe mundësi për t’i diskutuar çështjet mes dy vendeve. Uroj që ky udhëtim i juaji të jetë i dobishëm dhe frytdhënës për dy vendet dhe popujt”, deklaroi Ruhani.

Gjatë samitit trepalësh, presidentët Erdoğan, Ruhani dhe Vladimir Putin do të diskutojnë përpjekjet e përbashkëta si pjesë e procesit të Astanas dhe përpjekjet politike për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin sirian.

Pas samitit, liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës së tij në Iran, presidenti turk shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Financave Berat Albayrak, shefi i Shërbimit të Inteligjencës (MIT) Hakan Fidan dhe shefi i komunikimit të Presidencës së Turqisë Fahrettin Altun.

Samiti i parë trepalësh u mbajt në qytetin e Soçit në Rusi më 22 nëntor për të diskutuar përparimin e bërë në bisedimet e paqes në Astana dhe ndryshimet në zonat e deeskalimit në Siri.

Ndërkaq, takimi i dytë ishte mbajtur në mikëpritjen e presidentit Erdoğan në prill në kryeqytetin turk Ankara.