Erdoğan takohet me presidentin kinez Jinping

"Besoj se Turqia dhe Kina kanë potencial të madh për të përforcuar bashkëpunimin", thotë presidenti Erdoğan

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është takuar me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në kryeqytetin e Kinës, Pekin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Besoj se Turqia dhe Kina kanë potencial të madh për të përforcuar bashkëpunimin”, tha Erdoğan para takimit me Xi Jinping në Sallën e Madhe Popullore në sheshin Tiananmen.

Erdoğan tha se dy shtetet gëzojnë marrëdhënie njëmijë vjeçare përmes civilizimeve të lashta të ndërlidhura nga “Rruga e mëndafshtë”.

Ai i shprehu falënderimet e tija presidentit dhe popullit kinez për mirëpritjen.

Në ceremoni, Erdoğan u shoqërua nga ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Fatih Dönmez, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Mustafa Varank, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Mehmet Cahit Turhan, shefi i inteligjencës (MIT) Hakan Fidan, kryetari i Industrisë së Mbrojtjes, Ismail Demir, shefi i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi presidencial İbrahim Kalın.