Erdoğan: Neve na takon të krijojmë klimë të sigurtë për kthimin e refugjatëve

"Këta njerëz që rreth 8 vite i presim në vendin tonë, kanë shtëpitë, atdheun e tyre. Neve na takon që të krijojmë një klimë të sigurtë në të cilën refugjatët sa më shpejtë të vazhdojnë jetën në vendet e tyre", tha Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia nuk do të braktisë sigurinë e saj dhe të ardhmen e vëllezërve të saj për dëshirat e fuqive që kanë plane në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan u adresua para deputetëve në Asamblenë e Përgjitshme të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM) me rastin e hapjes së vitit të tretë legjislativ të mandatit të 27-të të Kuvendit.

Presidenti turk tha se janë të vetëdijshëm nga sprovat ekonomike, sociale dhe kultutore që kanë shkaktuar 3 milionë e 650 mijë sirianë që jetojnë brenda kufijve të Turqisë, të cilët ai i cilësoi si mysafir, për shkak të krizës së zgjatur në Siri.

“Gjithashtu e dimë se nuk ka ndonjë shtet tjetër përpos Turqisë që mund të mbajë një barrë të tillë dhe që mund të menaxhojë kaq gjatë. Megjithatë, nuk mendojmë që t’i strehojmë përgjithmonë miliona refugjatë në tokat tona”, tha ai.

“Këta njerëz që rreth 8 vite i presim në vendin tonë, kanë shtëpitë, atdheun e tyre. Neve na takon që të krijojmë një klimë të sigurtë në të cilën refugjatët sa më shpejtë të vazhdojnë jetën në vendet e tyre. Deri më tani shumë herë i kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me këtë”, u shpreh Erdoğan.

Ai informoi edhe në lidhje me refugjatët sirianë që janë kthyer deri më tani në vendet e sigurta të ofruara nga Turqia.

“Deri më tani, numri i refugjatëve sirianë që janë kthyer në vendet që ne i kemi bërë të sigurta ka arritur në 360 mijë. Arsyeja e vetme e pranisë sonë në Siri është se kërcënimet terroriste ndaj kufijve tanë në të njëjtën kohë janë bërë pengesë që parandalon kthimin e sirianëve që ndodhen në vendin tonë”, theksoi presidenti i Turqisë.

“Turqia nuk do të braktisë sigurinë e saj dhe të ardhmen e vëllezërve të saj për dëshirat e fuqive që kanë plane në rajon”, tha ai.

Siria është kapluar nga konflikti që nga viti 2011 kur demonstratat që kërkonin reforma demokratike u goditën ashpër nga regjimi sirian.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë vdekur në konfliktin që pasoi dhe miliona të tjerë janë zhvendosur pasi zona të tëra të mëdha të Sirisë janë kthyer në rrënoja.

Më tej, presidenti turk iu referua edhe çështjes ekonomike të vendit të tij, duke i vlerësuar arritjet e fundit të Turqisë në këtë fushë.

“Dua të theksoj përsëri se çështjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) e kemi mbyllur në maj të vitit 2013 për të mos e hapur më”, tha Erdoğan ndër të tjerat, duke shtuar se, “Do të vazhdojmë të punojmë pa pushim deri kur vendin tonë ta bëjmë një prej dhjete ekonomive më të mëdha të botës”

Ai vlerësoi edhe turizmin në vendin e tij duke e përshkruar vitin 2019 si “një sezonë shumë të begatë dhe fitimprurëse”.

“Në turizëm, këtë vit do të thyejmë rekordin e të gjitha kohërave”, tha ai.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë ditë më parë kishte bërë të ditur se vendi ka mirëpritur më shumë se 31 milionë turistë të huaj gjatë tetë muajve të parë të këtij viti.