Erdoğan: Në vitin 2019, ne arritëm që deficitin e llogarisë rrjedhëse ta shndërrojnë në suficit

Presidenti i Republikës së Turqisë dhe udhëheqësi i Partisë Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Recep Tayyip Erdoğan, edhe një herë theksoi se Turqia ka bërë përparim të madh në fushën e industrisë së mbrojtjes në dy dekadat e fundit, raporton Anadolu Agjencia (AA).

“Turqia është ndër eksportuesit dhe prodhuesit e shquar në një numër fushash në industrinë e mbrojtjes, përfshirë dronët”, tha Erdoğan në një fjalim në një takim të udhëheqësve krahinorë të AK Partisë në Ankara.

Ai gjithashtu vuri në dukje se prodhimi i makinës së parë vendase po shkon sipas planit.

“Procesi i prodhimit të makinave vendase po shkon sipas planit. Shpresojmë që makinën tonë ta shohim në rrugë në vitin 2023”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se Turqia do të riparojë me sukses të gjitha dëmet e shkaktuara gjatë zjarreve të fundit në vend.

“Ne jemi të vendosur të fshijmë gjurmët e lëna nga zjarret. Me ndihmën e Zotit, ky vend është i fortë, njerëzit janë të fortë dhe ne do të kemi sukses në këtë”, tha ai.

Presidenti turk gjithashtu foli rreth situatës ekonomike në vend, duke vënë në dukje se rezervat e Bankës Qendrore të Turqisë do të tejkalojnë 115 miliardë dollarë pasi të kenë përfunduar transaksionet që janë në pritje. Ai kujtoi se rezervat aktuale të Bankës Qendrore arrijnë në 109 miliardë dollarë.

“Në vitin 2019, ne arritëm që deficitin e llogarisë rrjedhëse ta shndërrojnë në suficit, i cili ka qenë problemi më i madh i ekonomisë sonë prej vitesh. Së shpejti do të jemi dëshmitarë të së njëjtës situatë përsëri”, tha Erdoğan.

Ai tha se AK Partia ka lënë një shenjë të thellë në çdo pjesë të vendit, falë qasjeve dhe koncepteve të reja që ka futur në politikë, shërbimeve që ka ofruar dhe projekteve kryesore që ka zbatuar gjatë dy dekadave të fundit.

“Ne kemi filluar një epokë të re në Turqi, me shërbime që janë tre herë, pesë herë dhe dhjetë herë mbi gjithçka që është bërë në historinë e Republikës”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se Turqia është një nga vendet e pakta që me të vërtetë mund të ushtrojë të drejtat e saj sovrane në rajon dhe në botë.

“Përderisa rendi politik dhe ekonomik global po shembet nga rrënjët e tij, shteti ynë po përpiqet të shfrytëzojë sa më mirë mundësitë që na presin”, shtoi ai.