Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri me dije të shtunën se objektivi i vendit të tij është nxjerrja sa më parë e organizatës separatiste terroriste PYD/YPG nga zona e Menbixhit në Siri.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, kreu i shtetit turk iu përgjigj interesit të gazetarëve edhe në lidhje me marrëdhëniet turko-amerikane.
Erdogani dha detaje të rëndësishme nga biseda telefonike e tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ai tha se i ka komunikuar homologut Trump që në bazë të marrëveshjes ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së, elementët terroristë duhet të nxirreshin brenda 90 ditëve nga Menbixhi, por afati i këtij procesi ka përfunduar.
“Ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë dhe SHBA-së kishin një udhërrëfyes, i cili nuk u respektua. Ne thamë se tani është koha që ky udhërrëfyes të vihet në zbatim dhe ky proces filloi, po vazhdon”, deklaroi lideri turk.
“Një tjetër kryefjalë e rëndësishme e bisedës telefonike time të fundit me Presidentin Trump kishte të bënte me hapat për çështjen financiare”, shtoi ai duke potencuar se kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka garantuar atë se i ka dhënë direktivat e nevojshme stafit të tij për çështjet financiare dhe problemin e Menbixhit.
Erdogani theksoi se me Trumpin ka biseduar gjithashtu për sanksionet amerikane ndaj dy ministrave turq dhe se sanksionet janë hequr njëkohësisht në ditën dhe orën e përcaktuar.
Kreu i shtetit turk njoftoi edhe se takimi i radhës me homologun amerikan do të jetë në kryeqytetin Paris të Francës.
“Siç e dini, në Paris do të mbahet një takim ndërkombëtar. Në këtë takim do të kemi shansin të bisedojnë ballë për ballë me z. Trump për çështje më të ndryshme. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, z. Vladimir Putin. Pra, atje do të kemi shansin të bisedojmë për këto çështje me një pjesë të liderëve botërorë”, tha mes të tjerash Presidenti Erdogan./TRT