Erdoğan: Gjatë tërheqjes së SHBA-ve të mos krijohet boshllëk që të keqpërdoret nga terroristët

Erdoğan ka theksuar se ka nevojë për një përpjekje të përbashkët kundrejt organizatave terroriste që synojnë të minojnë bashkëpunimin turko-rus

 Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili qëndron për vizitë pune njëditore në Moskë, ka zhvilluar një takim me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Pallatin e Kremlinit në Moskë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media presidenti Erdoğan ka theksuar se ka nevojë për një përpjekje të përbashkët kundrejt organizatave terroriste që synojnë të minojnë bashkëpunimin turko-rus.

“Është e një rëndësie kritike të mos krijohet boshllëk që mund të keqpërdoret nga organizatat terroriste gjatë tërheqjes së SHBA-së nga Siria”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Më tej, ai tha se lufta e tyre kundër organizatave terroriste në Idlib të Sirisë do të vazhdojë në mënyrë të përbashkët.

“Në lidhje me zonën e sigurisë, vazhdojnë bisedimet e ministrave përkatës me në krye liderët. Në lidhje me këtë, për ne është e rëndësishme ndjeshmëria e rajoneve që përbëjnë kërcënim”, deklaroi Erdoğan.