Erdoğan: Ekipet përkatëse po marrin të gjitha masat e nevojshme lidhur me tërmetin

"Ndodhemi pranë popullit tonë me të gjithë organizatat dhe institucionet tona, kryesisht AFAD dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke", tha presidenti turk Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se ekipet përkatëse po marrin të gjitha masat e nevojshme lidhur me tërmetin e fuqishëm në provincën lindore Elazığ i cili u ndje edhe në shumë rajone të tjera të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ekipet përkatëse po marrin të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e jetës së qytetarëve tanë dhe për të kapërcyer me sa më pak humbje tërmetin në Elazığ i cili u ndje edhe në shumë provinca të tjera”, tha Erdoğan në një postim në Twiter lidhur me tërmetin 6,8 ballë në Elazığ.

“Si presidenti i Turqisë, dëshiroj të jeni në dijeni se po ndjekim nga afër punimet. Ndodhemi pranë popullit tonë me të gjithë organizatat dhe institucionet tona, kryesisht AFAD dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke. Allahu i mëshiroftë vëllezërit tanë që humbën jetën nga tërmeti, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, shtoi presidenti turk.

Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se sipas të dhënave paraprake, të paktën 14 persona kanë humbur jetën nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi provincën Elazığ në Turqinë lindore.