Erdoğan dhe Macron bisedë telefonike, në fokus çështjet dypalëshe dhe rajonale

Në bisedë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit në Siri, lufta kundër terrorizmit dhe çështja e emigrantëve, po ashtu është theksuar rëndësia e bashkëpunimit për problemet rajonale

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve nga burimet presidenciale, mësohet se në bisedën e realizuar sot janë shkëmbyer mendimet në lidhje me çështjet dypalëshe dhe rajonale.

Të dy liderët kanë theksuar rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve dhe vazhdimit të dialogut aktual në mes të Turqisë dhe Francës. Në bisedë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit në Siri, lufta kundër terrorizmit dhe çështja e emigrantëve, po ashtu është theksuar rëndësia e bashkëpunimit për problemet rajonale.

Presidenti Erdoğan gjatë bisedës ka vënë në dukje se është arritur një pajtim, i cili do të hapë rrugën e bashkëpunimit në mes të Turqisë dhe SHBA-ve në Siri, duke filluar nga Munbixhi.

Presidenti i Turqisë, Erdoğan dhe ai i Francës, Macron kanë konfirmuar vendosmërinë për të qenë në kontakte të ngushta edhe në procesin pas zgjedhjeve të 24 qershorit në Turqi.